Pandemia në Kosovë/ 2 viktima dhe 740 raste të reja në 24 orë

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit dy persona të infektuar me COVID kanë vdekur, duke e çuar numrin e përgjithshëm  të viktimave në 2.286.

Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), vendi ka regjistruar 740 raste të reja.

Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK dhe laboratorët privatë janë testuar gjithsej 5.646 mostra të dyshuara për COVID-19, derisa deri më tani janë bërë 814.832 teste.

Sa i përket numrit të shëruarve, të dhënat kanë njoftuar për 48 raste të reja. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka arritur në 106.157 ndërkohë numri i rasteve aktive me COVID-19 është 8.544.