Zjarri në afërsi të fshatit Shemri në vendin Kodrat e Lakut të Mollës në Kukës po mbahet nën kontroll nga forcat, në mënyrë që të mos përhapet afër banesave.
Po punohet edhe nga ajri me helikopter dhe është normalizuar zjarri në fshatin Patalej në Kolsh, pas ndërhyrjes së helikopterit.
Në vatrën e Malit të Tërbunit në Pukë po punojnë zjarrfikës, shërbimi pyjor dhe forca të tjera.
Flakët kanë rënë në sipërfaqen pyjore, rrezikohet edhe përhapja në kurorë, ndërsa po ndërhyhet edhe nga ajri me helikopter.
Një vatër zjarri në një sipërfaqe me shkurre, pisha e dushqe në fshatin Mbreshtan, bashkia Kolonjë është aktivizuar dhe nuk ka rrezik për zonën e banuar.
Është nën kontroll zjarri në fshatin Radat.
Sipas informacioneve nga emergjencat civile të bashkisë Dropull i Poshtëm në vendgjarje ka mbërritur Zjarrfikësja e Bashkisë Gjirokaster dhe strukturat e ushtrisë.
Përsa i përket shpërthimeve ende nuk janë konfirmuar nëse mund të kenë qenë granata të Luftës së Dytë Botërore apo bombola gazi në një grumbull mbeturinash, ndërsa nuk ka rrezik për banesat pranë.
Një zjarr në sipërfaqe me shkurre është njoftuar në fshatin Qinam në Tiranë, pa rrezik për banesa.
Është riaktivizuar një vatër zjarri në fshatin Thirrë të Mirditës, i cili po shkon drejt fshatit Gështenjas dhe mund të rrezikojë banesat.
Forcat zjarrfikëse dhe banorët po punojnë për ta vënë nën kontroll, ndërsa janë nisur dhe forca nga Kukësi.
Në fshatin Sinametaj në Peqin ka një vatër zjarri në shkurre e bimësi të ulët.
Në zonë po shkojnë zjarrfikësi, por terreni është mjaft i vështirë dhe mjetet nuk mund të mbërrijnë deri aty.
Në fshatin Pashalli, në Poshnje të Beratti është raportuar një zjarr në shkure, në afërsi të pyllit me pisha dhe situata po ndiqet nga zjarrfikësit dhe pushteti vendor.