Zjarret që kanë përfshirë zonën afër tunelit të Kalimashit në Kukës kanë dalë jashtë kontrollit.
Forcat zjarrfikëse kanë mbërritur në vend, por vënia nën kontroll e flakëve duket e vështirë.
Zjarri rrezikon fshatrat Domgjon, Munellë dhe Thirrë.
Ndërkohë drejt vendit tonë është nisur një grup i Forcave të Sigurisë së Kosovës, për të ndihmuar autoritetet shqiptare në menaxhimin e zjarreve.
Lajmin e ka dhënë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj përmes një postimi në “Facebook”.
Postimi i ministrit Armend Mehaj:
I nisëm trupat tona të FSK-së në mbështetje të vëllezërve e motrave tona në Republikën e Shqipërisë.
Prej fillimit të shpërthimit të zjarreve, krahas operacioneve tona në vend, kam ofruar mbështetjen e plotë me kapacitetet tona në dispozicion për mbështetje të vëllezërve dhe motrave tona në Republikën e Shqipërisë.
Pas rëndimit të situatës, përveç në zonat jugore tani më edhe në ato veriore, dhe kërkesës së autoriteteve shqiptare për mbështetje, kam marrë siguruar homologun tim , ministrin Peleshi, se vullneti im për zbarkim të kontingjentit të FSK-së në operacion për shuarjen e zjarreve, do të përkrahet fuqishëm nga Qeveria e Republikës më në krye kryeministrin Kurti dhe Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani.
Kam dhënë direktivën për ngritjen e task-forcës së FSK-së dhe gatishmërinë e tij dhe me dhënien e autorizimit zyrtar nga ana e Komandantes Supreme të Forcave të Armatosura, presidentes Osmani, tani kontingjenti i FSK-së është nisur drejtë zonave të prekura dhe angazhimit të tyre në operacion në kuadër të forcave reaguese të Republikës së Shqipërisë.
Së bashku jemi më të fortë në kohë të vështira me vëllezërit e motrat tona!