Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” u shpallën të mbyllura më 8 gusht nga shefi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach.
Ai tha se ngjarja sportive 16-ditore i kishte sjellë botës njëfarë shprese gjatë pandemisë koronavirusit.
“Që nga fillimi i pandemisë, për herë të parë e gjithë bota u bashkua. Ne epiqendër u kthye sporti. Duke ndarë momente gëzimi dhe frymëzimi, miliarda njerëz në të gjithë globin u bashkuan përmes emocioneve“, tha Bach në fjalën e tij gjatë ceremonisë përmbyllëse që zgjati rreth dy orë.
“Kjo na jep shpresë për të ardhmën, na jep besim”, tha Bach.
Ai mbylli zyrtarisht Olimpiadën 2020, duke shënuar edhe fundin e udhëtimi olimpik që është vlerësuar si ndër më sfiduesit për shkak të pandemisë së Covid 19.
Bach falënderoi gjithashtu organizatorët japonezë dhe mijëra vullnetarë që u angazhuan në përgatitjen e tyre.
Garat u zhvilluan në kushte të rrepta të kufizimeve kundër koronavirusit. Lojërat ishte paraparë të mbahen vitin e kaluar, por ato u shtynë për shkak të pandemisë.
Organizatorët duket se e kanë parandaluar rrezikun që ky organizim të jetë një arsye e përhapjes së koronavirusit, edhe pse rreth 50,000 njerëz u mblodhën pavarësisht pandemisë.
Dy xhudistet e Kosovës, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova morën dy medalje të arta në këto lojëra. Kjo ishte hera e dytë që Kosova mori pjesë në Lojërat Olimpike, ku në Rio më 2016, xhudistja Majlinda Kelmendi fitoi medalje të artë në kategorinë e saj. Në “Tokio 2020”, Kosovën e përfaqësuan 11 atletë në gjashtë sporte.