Bardhyl Canolli e ka mbyllur në mënyrë spektakolare garën në Zym, e pesta me radhë në disiplinën malore për Kampionatin e Kosovës.
Përveç një aksidenti që pati Faton Rama, i cili u rrokullis me makinën e tij, por që për fat të mirë nuk pati lëndime, gara pati rrjedhë dhe përfundim të mirë.
Canolli me Radicall SR8 LM e kaloi shtegun me gjatësi 2.8 kilometra për 01:30.131 minuta duke vendosur rekord të ri. Në fakt ai mbante rekordin e këtij shtegu që nga 2017, e më pas e përmirësoi në vitin 2018.
Përveç rekordit, kjo fitore për Bardhin ishte e rëndësishme edhe për faktin se ka siguruar titullin e kampionit në plasmanin gjeneral për disiplinën malore.
“Në përgjithësi gara ka qenë e mirë, duke përjashtuar aksidentin që e pati Faton Rama, i cili fatmirësisht kaloi vetëm me dëme materiale. Jam i kënaqur me fitoren, sidomos duke marrë parasysh se vendosa rekord të ri, por edhe e sigurova titullin e kampionit”, tha Canolli pas fitores.
Në vendin e dytë u rendit Ernest Daka i DTM me BMW M3, i cili në krahasim me fituesin u vonua për 23.610 sekonda (përfshirë të dyja vozitjet), ndërsa podiumi u plotësua me Valon Rexhepin e Eurogoma RT me Opel Astra.
E para u rendit Prishtina RT, në vendin e dytë Prizreni D&G dhe e treta ishte Eurogoma RT.
Në disiplinën malore ka mbetur të zhvillohet edhe gara në Krujë, e vlefshme për FIA CEZ.