Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit ka vendosur sot që Selim Çekaj, të vijojë të qëndrojë në qeli duke mos ndryshuar masën e sigurisë së tij “arrest me burg”.
Selim Çekaj është arrestuar pas gjetjes së 49 kg kokainë në kontejnerin me banane që ai kishte porositur.
Avokati i Selim Çekajt, Maks Haxhia e konsideroi këtë një seancë të turpshme dhe në shkelje të plotë me ligjin.
Haxhia tha Çekaj nuk përbën rrezik dhe është i sëmurë, ku prej 1 muaj ndodhet i shtruar në spital dhe për këtë duhej të ishte liruar nga qelia.
Sipas avokatit, edhe vetë prokurori i çështjes tha se nuk kishte prova ndaj Selim Çekaj, por që gjykata vendosi sërish të mbajë në fuqi masën “arrest me burg”.
Vetë Selim Çekaj nuk pranon që kokaina të jetë e tij pasi ai ka porositur vetëm banane.
“Prokurori shtroi para gjykatës se nuk ka prova që Selim Çekaj të jetë i përfshirë në çështjen e kokainës dhe mosha e tij mbi 70 vjeç dhe sëmundjet janë argumente të avancuar për të ndryshuar masat e arrestit, ndërsa gjykata shkel ligjin. Selim Çekaj ka 1 muaj në spital dhe është me 5 diagnoza. Skandali tjetër është se ai është një person dhe hetohet si grup i strukturuar kriminal”, tha Haxhia.