Zjarret në vend/ Ministri i mbrojtjes: 10 vatra ende aktive

10 vatra zjarri janë aktualisht aktive, ndërkohë që janë shuar 163 të tjera gjatë ditëve të fundit në vend, njofton ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Në të gjithë territorin deri tani janë shuar 163 zjarre, për të cilat janë angazhuar 1289 Forca të Armatosura me 146 mjete të FA, 143 mjete zjarrfikëse, 1052 forca zjarrfikëse dhe 441 forca të tjera nga emergjencat civile, thuhet në njoftimin për shtyp.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, zjarri në gadishullin e Karaburunit, nuk përbën më rrezik për Parkun Kombëtar të Llogarasë.

Flakët vazhdojnë të djegin pyjet në majën e Runës në Kukës, në fshatin Thirrë dhe Munellë të Mirditës, Vermosh, Tropojë dhe Vaun e Dejës.

Njoftimi i plotë i ministrisë së Mbrojtjes:

Vlorë, Gadishulli i Karaburunit – Situata e zjarrit nuk paraqet rrezik për Parkun Kombëtar të Llogarasë.
Vatra po mbahet nën kontroll.

Kukës – Në majën e Runës gjithashtu flakët po mbahen nën kontroll nga ajri dhe toka. Flakët janë në drejtim të fshatit Shemri, por pa rrezik pasi është në distancë të largët.

Mirditë – Dy vatra zjarri ndodhen përkatësisht në fshatin Thirrë dhe Munellë. Situata aktualisht është nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik.

Vermosh – Në Malësinë e Madhe zjarri po mbahet nën kontroll dhe nuk paraqet rrezikshmëri.

Tropojë – Është bërë i mundur izolimi i flakëve në Betosh dhe Shëngjergj.

Shkodër – Një tjetër vatër në Theth është izoluar dhe po monitorohet. Nuk paraqet rrezik.
Zjarri në fshatin Cukal është drejt shuarjes përfundimtare.

Lugina e Valbonës – Zjarri në Margegaj është në zonë shkëmbore dhe nuk paraqet rrezikshmëri.