Shiste kokainë për 7000 lekë të reja në tre zona të Tiranës, arrestohet 38-vjeçari (Emri)

Një 38-vjeçar, i identifikuar si Anteo Guci është arrestuar nga policia ditën e sotme pasi shpërndante lëndë narkotike kokainë me doza në zona të ndryshme të Tiranës.

Ai është kapur në flagrancë duke qarkulluar me automjet, nga kontrollit i të cilit u gjet një sasi dozash me lëndë narkotike kokainë, të cilat ia shiste përdoruesve të ndryshëm, në zonën e Yzberishtit, Pallateve Çabej dhe Astirit, kundrejt vlerës 3500 deri në 7000 lekë të rinj për dozë.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri, municion luftarak, ndezës detonatorë për granata, 2 karta identifikimi policie të dyshuara të falsifikuara, 2 peshore elektronike, 1 automjet, 1 motomjet dhe një sasi lënde narkotike kokainë, të cilën ky shtetas e përgatiste në doza të vogla, gati për shitje në zonat e lartpërmendura.

Arrestimi i 38-vjeçarit u bë në kuadër të operacionit policor të koduar “Detonatori”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

Sipas policisë, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.