Italia vazhdon të shkëlqejë në Olimpiadën e Tokios dhe që tani përfaqësuesja “axurre” ia ka dalë për të kaluar rendimentin e Lojërave Olimpike Të Romës, që u organizuan gjashtë dekada më parë në “Qytetin e Përjetshëm”. Në vitin 1960 Italia e mbylli Olimpiadën me 36 medalje gjithsej, 13 ari, 10 argjendi dhe 13 bronzi, ndërsa këtë herë, kur kanë mbetur edhe dy ditë që të përfundojë Olimpiada e 32-të e Lojërave Verore “të kaltrit” krenohen me plot 38 të tilla, 10 ari, 10 argjendi dhe 18 bronzi. Një pjesë e madhe e këtij suksesi vjen nga atletika, sepse, për hir të së vërtetës, në klasifikimin e përgjithshëm gjysma e medaljeve janë siguruar pikërisht nga “mbretëresha e sporteve”.
Përpara qëndron vetëm seleksioni i Shteteve të Bashkuara, që kryeson po me 5 medalje të arta, por ekipi amerikan numëron gjithashtu edhe 12 medalje argjendi dhe 6 bronzi. Medalja e pestë e artë në Olimpiadën Nipone u mor në disiplinën më pak të pritshme të “mbretëreshës së sporteve”.
Pas triumfit të cmendur në garën më të shkurtër të këtyre Lojërave Olimpike, pra disiplinën e 100 metrave, Marcell Jacobs ndihmoi Italinë në një tjetër medalje të artë. Këtë herë 26-vjeçari teksan ishte vetëm i dyti në radhë, megjithatë sprinteri i lindur në El Paso e bëri shkëlqyeshëm punën e tij. Për të tjerat menduan shokët e tij të stafetës, por sidomos Filippo Tortu, që dogji në segmentin e fundit skuadrën britanike, për të regjistruar një sukses të paimagjinueshëm në garën e stafetës 4 X 100 metra.
Sikur të mos mjaftonte humbja e Wembley-t në kampionatin e fundit evropian apo dhe disfatat e njëpasnjëshme në kategori të ndryshme pikërisht nga sportistët italianë, goditjen më të fundit sportit britanik në Olimpiadën e Tokios ia dha 23-vjeçari milanez, Filippo Tortu, që rikuperoi në sprintin final, duke mposhtur në metrat e fundit 27-vjecarin londinez Nethaneel Mitchell – Blake.
Skuadra italiane e ndali kronometrin në kohën 37”50 dhe mundi për vetëm 0,01” stafetën britanike, duke thyer njëkohësisht edhe rekordin kombëtar të atletikës italiane, ndërkaq vendi i tretë u meritua nga ekipi kanadez, me kohën 37”70, falë sprinterit të mirënjohur Andre De Grasse, që rekuperoi në pjesën e fundit, duke kaluar Kinën dhe Xhamajkën.
Më herët në garën e 20 kilometrave ecje sportive për femra u kurorëzua gjithashtu edhe atletja tjetër italiane Antonella Palmisano, që triumfoi pikërisht në ditën e 30-vjetorit të saj me kohën 1h 29’ 12”. E dyta me afërsisht gjysmë sekonde diferencë u pozicionua atletja kolumbiane Sandra Arenas, ndërsa podiumi u plotësua nga sportistja kineze Liu Hong.
Në stafetën 4 X 100 metra për femra Xhamajka respektoi parashikimet, duke përmirësuar rekordin kombëtar të kësaj disipline, me kohën 41”02. Kështu ekipi nga Karaibet hodhi pas krahëve zhgënjimin e pesë vjetëve më parë, ku u mposht në finale në Rio de Janeira nga skuadra e Shteteve të Bashkuara. Në këtë mënyrë ndonëse formacioni i përzgjedhur rrezikoi ndjeshëm në këmbimin e fundit Shelly – Ann Fraser – Pryce dhe Shericka Jackson iu gëzuan medaljeve të tyre të para të arta në Olimpiadën e Tokios, ndërkohë pasi u bë e para sprintere që ia doli me sukses për të mbrojtur titujt në Lojërat Olimpike në 100 dhe 200 metra Elaine Thompson – Herah koleksionoi medaljen e tretë të artë në Stadiumin Olimpik të kryeqytetit japonez.
Shtetet e Bashkuara këtë herë u ngushëlluan në vendin e dytë me kohën 41”45, ndërsa medaljen e bronztë e meritoi skuadra britanike me kohën 41”88.
Në garën e 1500 metrave për femra favoritja e madhe ishte Sifan Hassan, që shpresonte shumë për t’u bërë e para atlete në histori që triumfonte në disiplinat 1500, 5.000 dhe 10.000 metra brenda një Olimpiade të vetme. Pas suksesit në garën e 5.000 metrave, ku mundi kenianen Hellen Obiri, 28-vjeçarja holandeze ndryshoi krejtësisht taktikë. Këtë herë sportistja me origjinë etiopiane preferoi ta udhëhiqte vetë garën, duke i imponuar kundërshtareve një ritëm tepër të lartë. Taktikë e gabuar, ose ndoshta e menduar keq, pasi atletja keniane Faith Kipyegon e kaloi rivalen e saj Sifan Hassan në xhiron e fundit, për të vendosur edhe një rekord të ri olimpik, me kohën 3’53”11, duke mbrojtur në këtë mënyrë me sukses titullin e fituar në 2016 në Brazil. Hassan vuajti pasojat por edhe lodhjen, teksa u kalua gjithashtu edhe nga atletja britanike Laura Muir, kështu që në fund sportistja e mirënjohur me origjinë afrikane u ngushëllua me medaljen e bronztë, pothuajse 1,5” larg 28-vjecares skoceze, që theu njëherësh edhe rekordin e Britanisë së Madhe. Sportistja nga Bahamasi Shaunae Miller – Uibo u bë vetëm atletja e dytë në historinë e Lojërave Olimpike që mbron me sukses titullin në garën e 400 metrave.
27-vjeçarja nga Nassau vendosi një rekord për zonën, duke ndalur kronometrin në kohën 48”36. Marileidy Paulino e Republikës Dominikane fiksoi kohën 49”20, duke përmirësuar rekordin kombëtar të vendit të saj, ndërsa sportistja legjendare amerikane Allyson Fellix ia doli për të varur në gjoks medaljen e saj të 10 në historinë e olimpiadave. 35-vjeçarja kaliforniane konsiderohet si një ndër atletet më të famshme në historinë e “mbretëreshës së sporteve”, me 6 medalje të arta në Lojërat Olimpike dhe 18 medalje gjithsej në kampionatet botërore, 13 prej të cilave të arta.
Në hedhjen e shtizës triumfoi 27-vjeçarja kineze Liu Shiying që arriti rezultatin më të mirë sezonal 66,34 metra, që në hedhjen e saj të parë. E dyta u pozicionua polakja Maria Andrejczyk me 64,61 metra, ndërsa në shkallën e fundit të podiumit u ngjit kampionia në fuqi e botës, sportistja australiane Kelsey – Lee Barber, që humbi medaljen e argjendtë për thjesht 5 centimetra.
Në garën e fundit të 50 kilometrave ecje sportive në historinë e Lojërave Olimpike 31-vjeçari polak Dawid Tomala e përshkoi itinerarin e përcaktuar në Sapporo me kohën 3h 50’ 08”. I dyti me më shumë se gjysmë sekonde diferencë e kaloi vijën e finishit gjermani Jonathan Hilbert, ndërsa medaljen e bronztë e vari në qafë kanadezi Evan Dunfee. Në fund në disiplinën e 5000 metrave fitoi Joshua Cheptegei, që në Rio e mbylli aventurën e tij vetëm në vendin e tetë. 24-vjecari i dhuroi medaljen e dytë të artë Ugandës në atletikë në këto lojëra, falë kohës 12’58”15, duke lënë prapa kanadezin Mohammed Ahmed dhe amerikanin Paul Chelimo, që u klasifikuan përkatësisht në vendin e dytë dhe të tretë./ SuperSport