Edhe Kosova nën pushtetin e flakëve/ Vijon beteja me zjarret në Bjeshkët e Nemuna

Kosova vijon të përballet me shpërthimin e zjarreve në zona të ndryshme prej ditësh tashmë, ndërsa situata më serioze është në Bjeshkët e Nemuna.

Ministria e Punëve të Brendshme, përmes një njoftimi për media thotë se me të gjithë mekanizmat e saj, prej shtatë ditësh po vijon të ballafaqohet me situatën e zjarreve të krijuara si pasojë e temperaturave të larta, ku aktualisht po përballet me zjarrin në Parkun Kombëtar të Bjeshkëve të Nemuna në Shtupeq të komunës së Pejës.

“Në këtë incident janë të angazhuara me kapacitete të plota të gjitha Institucionet përgjegjëse, të cilat po koordinohen nga Qendra Operative e MPB-së. Në shuarjen e zjarreve janë të angazhuara: Ekipet e Zjarrfikësve, Policia e Kosovës, pjesëtarët e FSK-së, Autoritetet e Parkut dhe Ndërmarrjet Publike. Po ashtu për ndihmë në shuarjen e zjarreve nga ajri është angazhuar edhe KFOR-i”, thuhet në njoftim.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka vizituar disa vatra të zjarrit, në veçanti atë të Shtupeqit, për të parë nga afër zhvillimet në terren dhe për të ofruar mbështetje për forcat të cilat po merren me luftimin e zjarrit prej disa ditësh.