Zjarret në Maqedoninë e Veriut i marrin jetën një gruaje

Një grua 59-vjeçare nga fshati Çellopek në Komunën e Staro Nagoriçanës, ka humbur jetën për shkak të zjarreve. Autoritetet bën të ditur se viktima e identifikuar si Stojanka, pasi flakët kapluan shtëpinë e saj, nga paniku ishte mbyllur në një dhomë të shtëpisë.

Në mesin e flakëve unë arrita të dalë, kurse Stojanka u fut në shtëpi. Pas kësaj më nuk e pash. Për disa minuta e gjithë shtëpia u dogj nga zjarri që erdhi nga lëndina afër shtëpisë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Boris Dimovski, që ka bashkëjetuar me Stojankën.

Edhe fqinja e saj tregon se me Stojankën është parë teksa ka nisur të shpëtojë kafshët shtëpiake dhe pas hyrjes në shtëpi nuk ka dëgjuar asgjë më nga ajo.

Ekipet e shpëtimit kanë vazhduar aksionin, por edhe pas rrënimit të shtëpisë dhe dy objekteve ndihmëse, nuk kanë arritur që të gjejnë trupin e 59-vjeçares.

Komuna e Staro Nagoriçanës gjendet në kufi me Bullgarinë dhe Serbinë. Kryetarja e kësaj komune, Zhaklina Jovanovka tha se do të punohet derisa të gjendet trupi i Stojankës.

Në pasditen e së enjtes janë aktivizuar dhjetëra vatra të reja të zjarrit në rajonin e Shkupit, të Komunovës dhe në vendbanime të tjera.

Gjendja më kritike paraqitet në rajonin e Dellçevës dhe Pehçevës ku flakët e zjarrit përhapen shumë shpejt për shkak të erës së fuqishme, që u paraqit në orët e pasdites.

Një pjesë e banorëve të këtyre zonave kanë lëshuar vendbanimet e tyre pasi zjarri afrohet drejt shtëpive të tyre.

Ndërkaq, qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim për shpalljen e gjendjes së krizës në të gjithë vendin për 30 ditë, për shkak të gjendjes alarmante të shkaktuar nga zjarret që kanë kapluar vendin gjatë ditëve të fundit, një pjesë e të cilave ende janë aktive.

Vendimi u miratua në bazë të nevojës së shfrytëzimit racional të burimeve nacionale dhe veprimit koordinues të të gjitha institucioneve të interesuara, për shkak të paraqitjes së madhe të zjarreve dhe parandalimit të përhapjes së tyre”, bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamed Hoxha.