Përkeqësohet situata në Karaburun/ Vijon rreziku për Parkun e Llogarasë

Në ditën 13-të të flakëve në Vlorë situata vijon të jetë serioze.

Flakët në Karaburun kanë avancuar duke e rritur rrezikun për parkun e Llogarasë, ndërsa operacioni është ndërprerë si nga ajri ashtu dhe nga toka, për shkak të erës së fortë.

Era e fortë dhe me drejtim nga jugu ka bërë që situata e zjarrit në malin e Karaburunit  të përkeqësohet dhe konkretisht në pjesën mbi Gjirin e Gramës që lidhet me Llogaranë.

Sipas punonjësve të ADZM era ka bërë që flakët të përparojnë në pjesën e malit duke iu afruar pishave.

Për shkak të vështirësive nga era është e pamundur ndërhyrja nga ajri me helikopter sepse përbën rrezik, ndaj operacioni është ndërprerë deri në qetësimin e situatës.

Ndërkohë mbi fshatin Dukat i Ri janë aktive tre vatra zjarri dhe nëse nuk ndërhyhet do përhapen me shpejtësi tek banesat.