Situata e zjarreve në Vlorë vijon të jetë shumë e rrezikshme për banorët e fshatit Dukat i Ri, të cilët kanë banesat e tyre afër vatrave.
Mëngjesin e sotëm ushtria ka ‘zbarkuar’ në Dukat të Ri për t’u ardhur në ndihmë FA dhe zjarrfikësve, të cilët janë në luftë me flakët prej shumë ditësh.
Era po favorizon flakët, të cilat po i drejtohen Llogorasë.
Në fshat ka mbërritur edhe kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, tha se të gjitha forcat si ato të ushtrisë edhe ato vullnetare të bëjnë një kordon, të hapin një kanal, që nuk do të lejojë depërtimin e zjarrit më tej.
“Për të prevaluar çdo lloj mase, pjesa tjetër e ushtarëve, pjesa tjetër vullnetare apo çfarëdo qoftë duhet të bëjnë kordon larg zjarrit. Do punuar njëri pas tjetrit me kazmë, me lopatë, me sopat, me motosharrë. Duhet krijuar kordoni që zjarri të mos depërtojë më këtej. Pjesa tjetër më sipër duhet të punojë me të njëjtin parim, me parimin e tokës së djegur, nuk ka formë tjetër”, tha Çako.