Zjarri në Vlorë vijon të përpijë toka të tëra prej ditësh.
Komiteti i Mbrojtjes Civile ka zhvilluar më në fund një ditë më parë një mbledhje ku diskutoi për situatën e krijuar ditët e fundit nga zjarret.
I pranishëm në mbledhjen online ishte edhe Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako i cili shfaqet pas më shumë se 11 ditësh pa asnjë reagim për zjarret dhe kur situata nuk ka rrugëzgjidhje tjetër.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi e vlerësoi serioze gjendjen në gadishullin e Karaburunit, ku vatra ka marrë përmasa të rrezikshme, ndihmuar nga temeraturat e larta dhe nga era, e cila ndikon në përhapjen e flakëve.
Në një kohë që i gjithë rajoni është përfshirë në një situatë të vështirë për shkak të temperaturave të larta, ministri i Mbrojtjes tha se kjo vështirëson edhe ndihmën që Shqipëria mund të marrë nga partnerët e saj.
Peleshi tha se agjencisë Kombëtare te Mbrojtjes Civile do t’i jepet mundësia të përdorë jo vetëm burimet financiare dhe forcat e institucioneve që kanë në varësi por edhe ndihmë nga operatorët privatë.
Sipas tij nga një helikopter që është përdorur këto ditë, nga sot do të jenë 3.
Kurse Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako në mbledhjen online kërkoi maksimizim të bashkëpunimit në këtë situatë. Çako informoi se aktualisht në vend janë 3 vatra zjarri efektive.
Ai kërkoi nga policia të vendosen para përgjegjësisë personat, një pjesë e të cilëve janë identifikuar si autorë të zjarrvënieve.
Dy vatra zjarri, një në Vaun e Dejës dhe një në fshatin Palokastër në qarkun e Gjirokastrës janë vënë nën kontroll.
Ndërsa janë shuar vatrat në Fier, Ksamil, Mamurras e Përmet.
Kujtojmë se skandali me drejtuesin e emergjencave Civile që shfaqet pasi Vlora është djegur prej më shumë se 10 ditësh, ka nxitur edhe reagimin e kreut të KLSH-së, Arben Shehu, i cili i bëri thirrje të kthehet në detyrë dhe të merret me përballimin e situatës së rënduar nga zjarret si dhe të lejojë kontrollet e KLSH në të gjitha strukturat e Emergjencave CIvile.