Viktima e parë nga flakët është shënuar në në fshatin “Asim Zeneli” në Lunxhëri të Gjirokastrës. 64-vjeçari u gjet i djegur në përpjekje për të shuar flakët në shtëpi bashkë me gruan, e cila ndodhet në spital në gjendje të rëndë.
Fshatrat Asim Zeneli, Arshi Lengo dhe Krina në Njësinë Administrative Lunxhëri – Antigone po përballen me flakët.
Forcat e ushtrisë dhe banorët po përdorin çdo mjet të mundshëm për t’i shuar, por flakët vijojnë të përhapen të favorizuar nga era dhe temperaturat e larta.
Tashmë kërkohet ndihmë nga ajri për shkak të përhapjes së madhe të tyre.
Në vendngjarje po punojnë strukturat e mbrojtjes civile, gjithashtu në mbështetje kanë shkuar edhe Forcat e Armatosura.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi bën thirrje për bashkëpunim mes banorëve në zonat e prekura nga flakët.
“U bëjmë thirrje banoreve të jenë bashkëpunues me strukturat shtetërore për të zbatuar urdhrin e evakuimit”, tha ministri.
Veç Lunxhërisë, zjarret vijojnë edhe në Cukal të Vaut të Dejës dhe në zonën e Vlorës, ku në Karaburun po përparojnë me shpejtësi drejt Llogorasë dhe zonave të banuara në Dukat.
Në ditën e tetë të katastrofës natyrore në Karaburun, ushtria ka ndihmuar me 500 forca emergjencat.
Ushtarët janë të pajisur vetëm me nga një lopatë, por ndërhyrja e tyre është e rrezikshme sepse flakët po marrin para çfarë të gjejnë.
Ndërkohë helikopteri që u përdor për të shuar flakët një ditë më parë, sot nuk është shfaqur ndërsa situata është shumë më e rëndë. Në ditën e tetë të shpërthimit të flakëve në zonë ka shkuar edhe shefi i emergjencave civile, Haki Çako.
Kontrolli i Lartë i Shtetit u pengua që të bënte kontroll pranë emergjencave me arsyetimin se drejtuesi ishte me pushime.