Çuçi në Liban: Operacionet e riatdhesimit do të vijojnë, nesër mbërrijnë në Rinas 14 fëmijë dhe 5 gra

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka folur Beiruti për operacionin e tretë të riatdhesimit në Shqipëri të 14 fëmijëve dhe 5 grave që ndodheshin në kampin Al Hol të Sirisë. Gjatë një interviste për Top Channel, ministri tregoi disa detaje rreth kësaj përpjekje të radhës që bën shteti shqiptar për kthimin në vend të atyre që gjenden aktualisht në kampet e luftës.

“Është një përpjekje e gjatë në fakt, që ka nisur që në operacionin e fundit, ku punonjësit e policisë, edhe këtu gjej rastin t’i përgëzoj sidomos Departamentin e Antiterrorit të kryesuar nga Gledis Nano. Bënë intervista dhe identifikuan brenda kampit gra dhe fëmijë shqiptarë. Pastaj ka qenë një përpjekje e disa mujore me autoritetet kurde, kryesisht që administrojnë atë kamp apo atë terren ku luhet një tragjedi njerëzore, dhe padiskutim me koordinimin e jashtëzakonshëm të konsullit tonë, të Markut dhe të gjithë përpjekjen e bërë nga të gjithë strukturat e sigurisë këtu në Bejrut, arritëm që më në fund të vendosim edhe për ditën kur do t’i merrnim. Sepse problemet fillojnë që nga momenti i marrjes, në kuptimin të lejes nga Autoritetet kurde, koordinimit me Autoritetin Sirianë, me shtetin Sirian, transporti që është një problem më vete dhe ja sot operacioni mund të konsiderohet akoma i papërfunduar, sepse përfundon vetëm kur ne të ulemi të gjithë bashkë në Shqipëri”, tha ministri Çuçi.

Më tej gjatë intervistës ai theksoi se operacionet do të vijojnë për të marrë të gjitha gratë dhe fëmijët që janë ende në ato kampe.

“Por ja ku jemi sot shumë afër përmbylljes të kësaj përpjekjeje do të thoja unë disa mujore dhe që na ka ҫuar në një rezultat për mendimin tim mbresëlënës, edhe duke parë të gjithë aksionet, apo veprimet që kanë marrë shtete të ndryshme për qytetarët e tyre që janë në kampe, besoj se është një nga përpjekjet më të sukseshme. Padiskutim i joni është i treti dhe është më i suksesshmi  nuk diskutohet, dhe besoj se do të vazhdojmë akoma me përpjekjet për të marrë të gjithë gratë dhe fëmijët shqiptarë që po përjetojnë atë, unë do thosha pa asnjë hezitim tmerr në ato kampe në Siri”, tha Çuçi.

Për të ndjekur nga afër këtë operacion është gjithashtu në Liban edhe kryeministri Edi Rama. Pritet që 14 fëmijët dhe 5 gratë të mbërrijnë në Rinas ditën e nesërme.