Djali i tij shërbeu në Kosovë/ Osmani do të ndajë Medalje Presidenciale për të! Biden e falenderon: Beau e donte shtetin tuaj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të ndajë këtë të diel, Medalje Presidenciale për Sundim të Ligjit për Beau Biden, djalin e ndjerë të presidentit amerikan, Joe Biden, i cili ka vdekur nga kanceri në tru më 2015, raporton rrjeti televiziv amerikan, NBC News.

Ai ka shërbyer në Kosovë pas mbarimit të luftës, përkatësisht më 2001, në trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve vendorë.

Përmes një video-mesazhi, presidenti Biden, ka thënë se Kosova “është në zemrat e gjithë familjes Biden”.

“Puna e Beaut në Kosovë ka qenë e përzemërt. Ai e ka dashur shtetin tuaj”, i ka thënë Biden presidentes Osmani.

“Atëbotë Kosova kishte ende plagë të luftës dhe drejtësi të mbytur për shkak të sundimit totalitar. Mirëpo Beau e ka parë se çfarë mund të bëni ju. Beau e ka parë edhe atëherë të ardhmen që ka qenë e mundur për shtetin tuaj krenar”.

Vjosa Osmani, presidente e Kosovës ka thënë se kjo medalje “u dedikohet edhe shumë grave e burrave që shërbyen në Kosovë e që erdhën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Osmani ka paralajmëruar se mesazhi i plotë i presidentit Biden do të transmetohet të dielën.

“Ky adresim i Presidentit Biden dëshmon raportet speciale e të palëkundura ndërmjet dy vendeve tona. Jemi të bekuar me aleatin tonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Kjo është hera e dytë që Kosova nderon djalin e presidentit amerikan.

Më 2016, në vitin e fundit të Bidenit si nënpresident amerikan, ai, së bashku me familjen e tij, kanë vizituar Kosovën, për të inauguruar rrugën Beau Biden afër kampit Bondsteeel.