OBSH: Duhet të ndalojmë Covid 19, para se të krijohen variante më vdekjeprurëse

Varianti Delta i Covid 19 është një paralajmërim për botën që të mposhtë virusin para se të pësojë mutacione të tjera dhe të bëhet më i rrezikshëm, tha të premten Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Varianti më i ngjitshëm u vërejt së pari në Indi. Tashmë është paraqitur në 132 territore dhe është pjesërisht fajtor për rritje prej 80 për qind të vdekjeve nga koronavirusi në Afrikë në katër javët e fundit, tha OBSH-ja.

Delta është një paralajmërim, është paralajmërim se virusi po evulon por është edhe një thirrje për veprim para se variante më të rrezikshme të krijohen“, tha drejtori i emergjencave në OBSH, Michael Ryan.

Drejtori i OBSH-së. Tedros Adhanom Ghebreyesus shtoi se “deri më tani, katër variante shqetësuese janë lajmëruar dhe do të ketë edhe më shumë nëse virusi vazhdon të shpërndahet”.

Edhe pse Delta ka lëkundur shumë shtete, Ryan tha se masat e vërtetuara që e vënë në kontroll shpërndarjen e virusit ende funksionojnë.

Masat e njëjta që i kemi aplikuar më parë do ta ndalin virusin“, distancimi, mbajtja e maskës, higjiena e duarve dhe shmangia e qëndrimit në vende të mbyllura dhe të paventiluara mirë për një kohë të gjatë.

Këto po e ndalin variantin Delta, sidomos kur ia shton vaksinën. Por, kemi nevojë të punojmë më shumë“, tha ai.

Agjencia e Shëndetit në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje që vaksinat të shpërndahen në mënyrë më të barabartë nëpër botë.

Më shumë se katër miliardë doza të vaksinave kundër Covid 19 janë dhënë nëpër botë.