Vranë 30-vjeçarin pas sherrit për tokat, arrestohen dy prej autorëve të dyshuar

Dy prej autorëve të dyshuar të ngjarjes së rëndë të ndodhur ditën e sotme në Garunjas të Lushnjës, ku mbeti i vrarë një 30-vjeçar janë arrestuar.

Afrim Hasalla dhe Mario Hasalla janë vënë nën pranga, ndërkohë që është ende në kërkim Kastriot Hasalla.

  “Si rezultat i kontrolleve të pandërprera gjatë ditës së sotme, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, është bërë e mundur kapja e dy prej autorëve të dyshuar të shpallur në kërkim, shtetasit M. H., 20 vjeç dhe A. H., 42 vjeç, banues në Garunjas, Lushnjë.

Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë është bërë arrestimi i tyre për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasje në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë. Vijon puna nga shërbimet e Policisë për kapjen e shtetasit K. H.”, shkruhet në njoftimin e policisë.

Një konflikt i hershëm midis kushërinjve Hasalla për një sipërfaqe toke ka përfunduar në një tragjedi.

Romeo Hasalla 30-vjeç humbi jetën, ndërsa u plagosën i ati i tij, Shaip Hasalla 65 vjeç dhe 2 vëllezërit Emiljano Hasalla e Laert Hasalla.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e kësaj të enjte, rreth orës 6 e 30, kur Shaip Hasalla, Emiliano Hasalla, Laert Hasalla, Romeo Hasalla janë konfliktuar me kushërinjtë e tyre Kastriot Hasalla dhe Afrim Hasalla.

Prej disa vitesh, të dyja palët kanë qenë në një konflikt për një sipërfaqe toke.