Shteti maltez përgjegjës për vrasjen e gazetares

Një hetim publik për vrasjen e gazetares hulumtuese, Daphne Caruana Galizia, në Maltë konstatoi se shteti është përgjegjës për vdekjen e saj.

Raporti, i cituar nga mediat malteze, thotë se shteti nuk ka arritur t’i identifikojë rreziqet në jetën e gazetares dhe të marrë hapa të arsyeshëm për t’i shmangur ato.

Caruana Galizia u vra më 16 tetor të vitit 2017, në një sulm me makinë bombë.

Në vitin 2019, kryeministri i atëhershëm i Maltës, Joseph Muscat, dha dorëheqje, pasi u gjet se bashkëpunëtorë të tij të ngushtë ishin të implikuar në rast.

Caruana Galizia zbuloi rrjete të gjera korrupsioni brenda Maltës.

Familja e saj kërkoi hetime të pavarura publike të vrasjes.

Muscat u dha dritën jeshile hetimeve vetëm disa muaj përpara se të jepte dorëheqje.

Sipas REL, në dy vitet e fundit, hetuesit dëgjuan dhjetëra dëshmitarë, përfshirë hetues, politikanë dhe gazetarë.

Në konstatimet e tyre, të përmbledhura në një raport prej 437 faqesh, ata thanë se shteti “ka krijuar një atmosferë mosndëshkimi”.

Në raport përmenden “afërsi të pajustifikueshme” midis bizneseve të mëdha dhe Qeverisë malteze.