Shoferit të autobusit nga Kosova që u aksidentua të dielën në Sllavonski Brodt të Kroacisë, ku ndërruan jetë 10 persona e mbi 40 u plagosën do të qëndrojë 30 ditë në paraburgim.
Autoritetet kanë thënë se ky vendim është marrë për shkak të rrezikut të arratisjes së këtij personi.
Kujtojmë se në autobusin që ishte nisur nga Frankufurti drejt Prishtinës po udhëtonin 67 pasagjerë dhe dy shoferë.
Njëri nga shoferët ndërroi jetë, ndërsa për tjetrin vijojnë hetimet, ndërsa u mor në pyetje një ditë më parë në Zyrën e Prokurorit të Shtetit.
52-vjeçari me origjinë nga Kosova shoqërohej nga dy efektivë teksa duart i kishte të prangosura dhe këmishën me njolla gjaku.
52-vjeçari pranoi në polici se e zuri gjumi pas timonit, por në prokurori vendosi të mbrohej me heshtje.
Si ndodhi aksidenti?
Aksidenti i rëndë me 10 viktima dhe 45 të plagosur ndodhi në qytetin Slavonski Brod, rreth orës 06:20 të mëngjesit, ndërsa autobusi me targa të Kosovës vinte nga Frankfurti i Gjermanisë, drejt Prishtinës, ndërsa në bord kishte 67 pasagjerë dhe dy shoferë, njëri prej të cilëve humbi jetën.
10 jetët që mbyllën sytë përgjithmonë në atë ditë të kobshme janë shoferi Naser Sylmetaj, lindur më 1974, Gjakovë; Leonora Gjota-Kolmekshaj, lindur më 1982, Junik – Deçan dhe mamaja e saj Gjyle Maloku, Valentina Binakaj dhe vajza e saj Erlinda Binakaj; Sevdail Rrustemi, lindur më 1973, Pakshticë e Epërme – Podujevë; Kujtim Kastrati, lindur më 1981, Radostë; Hamet Hoxha, lindur më 1966 Randobravë – Gjakovë; Anjeza Bellanica dhe Alinda Iprijaj, nënë e 5 fëmijëve.