Arrihet marrëveshja me Britaninë për transferimin e të dënuarve

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, gjatë vizitës së saj zyrtare, me ftesë të autoriteteve britanike, nënshkroi marrëveshjen e transferimit të dënuarve ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut.

Marrëveshja ka për qëllim zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e të drejtës penale ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut si dhe çuarjen më tej të qëllimeve të drejtësisë dhe rehabilitimin shoqëror të personave të dënuar.

Aktualisht, marrëdhëniet e bashkëpunimit gjyqësor të Republikës së Shqipërisë me Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe e Irlandës së Veriut, sa i takon transferimit të personave të dënuar rregullohen me marrëveshjen për transferimin e personave të dënuar, e cila është ratifikuar nga Kuvendi në vitin 2013.

Palët kanë lehtësuar zbatimin e marrëveshjes duke përmirësuar dispozitat që lidhen me dokumentacionin e nevojshëm për transferimin e të dënuarve. Përpos kësaj, janë përmirësuar parashikimet që lidhen me vazhdimin e ekzekutimit të dënimit nga shteti marrës, duke parashikuar se shteti marrës përshtat dënimin sipas përcaktimeve që gjenden në këtë projektmarrëveshje.

Ministrja Gjonaj, gjatë vizitës së saj është takuar me Ministrin Philp, që gjatë diskutimeve vuri në dukje që për Repulikën e Shqipërisë është me rëndësi rehabilitimi dhe riintegrimi i të gjithë shtetasve shqiptar, pavarësisht vendit të kryerjes së veprës penale.

Për këtë qëllim, kjo marrëveshje është një instrument i mirë që i garanton shtetasve shqiptar, mundësinë për të kërkuar transferimin e dënimit në Republikën e Shqipërisë, që do të lejonte pasjen e kontakteve më të shpeshta me familjarët e tyre, dhe rrjedhimisht ndihmon në riintegrimin më të shpejtë të tyre ne vendin e origjinës.

Nga ana tjetër, Ministrja Gjonaj vuri në dukje që Shqipëria ka ndërmarrë një reformë të thellë gjyqësore, që tashmë, po shoqërohet edhe me një reformë të thellë në sistemin penitenciar. Në kuadër të reformës në sistemin penitenciar, përveç përmirësimit të legjislacionit të kësaj fushe, Ministria e Drejtësisë ka si qëllim edhe përmirësimin e kushteve të trajtimit të të dënuarve.

Për këtë qëllim, Ministria e Drejtësisë, znj. Gjonaj u takua dhe me Ministrin Chalk, me të cilin zhvilloj një bisedë të frytshme mbi sistemin penitenciar.

Ministrja Gjonaj ashtu edhe Ministri Chalk, diskutuan diskutuan mbi mundësinë e mbështetjes nga pala britanike nëpërmjet rikonstruksionit apo ndërtimi të të një burgu të ri mbi projekte konkrete, i cili do të mund të përmirësojë kushtet që vuajnë dënimin të burgosurit shqiptar dhe në uljen e popullimit në burgjet shqiptare.

Ministri Chalk, shprehu vullnetin e fortë politik për mbështetjen e kërkesave të palës shqiptare dhe ndërmorri angazhimin për vijimin e diskutimeve të mëtejshme ndërmjet stafeve teknike për modalitetet e këtij bashkëpunimi. Gjithashtu, pala britanike shprehu mbështetjen e fortë për vijimin e bashkëpunimit në fushën e reformës penitenciare nëpërmjet rritjes së kapaciteteve të shërbimit të kontrollit të brendshëm në burgje si dhe shkëmbimin e të dhënave me autoritetet britanike, për shtetasit shqiptar që janë dënuar me një vendim të formës së prerë në Mbretërinë e Bashkuar.

Në vijim Ministrja Gjonaj u takua dhe me Ministrin Lord Wolfson, me të cilin u dakordësuan të thellojnë bashkëpunimin ndërgjyqësor dhe të shkëmbejnë dhe bashkëpunojnë në fushën e dixhitalizimit të gjyqësorit.

Ministrja Gjonaj falenderoi të tre ministrat për mbështetjen e deritanishme në reformën e sistemit penitenciar.