Dy nga rastet e infektuara me variantin Delta te Covid janë identifikuar në Pogradec.
Burimet i thanë Top Channel se vatra familjare e infektimit është në fshatin Kalicav të njësisë Trebinje në Mokër.
Në një familje kishin udhëtuar dy të rinj, të cilët janë ndaluar më pas në kufirin grek për shkak se testi i shpejtë i doli pozitiv. Pas rikthimit ata janë kontrolluar dhe u konstatua se janë infektuar.
Ndërkohë Insituti i Shëndetit Publik pritet të japë së shpejti përgjigjen edhe për disa nga antarët e kësaj familjeje që kanë shfaqur shenjat e infektimit.
Sipas ekspertëve infektimi me Delta ndryshon shumë nga varianti i Covid me të cilin jemi njohur. Delta i ngjan shumë një viroze.
Fatmirësisht të infektuarit kanë rezultuar të vaksinuar më herët dhe asnjë prej tyre nuk ka patur problem shëndetësor të rëndë. Imuniteti i krijuar nga vaksinat i ka mbrojtur.