Përzierja e vaksinës AstraZeneca me Pfizer/BioNTech, rrit nivelin e antitrupave me gjashtë herë, krahasuar me dy doza të AstraZeneca-s, tregon një studim i Koresë së Jugut.
Studimi përfshiu 499 punonjës mjekësorë: 100 prej tyre morën doza të përziera, 200 morën dy doza Pfizer/BioNTech dhe pjesa tjetër morën dy doza AstraZeneca.
Të gjitha vaksinimet rezultuan me antitrupa neutralizues, që e ndalojnë virusin nga hyrja në qeliza dhe nga shumimi i tij.
Përzierja e vaksinave tregoi sasi të ngjashme të antitrupave që janë gjetur te personat që kanë marrë dy doza të vaksinës Pfizer/BioNTech.
Edhe një studim i publikuar muajin e kaluar në Mbretërinë e Bashkuar ka gjetur se një dozë e vaksinës Pfizer/BioNTech, nëse jepet katër javë pas një doze të vaksinës AstraZeneca, do të prodhojë përgjigje më të mirë imunitare, raporton Radio Evropa e Lirë.
Studimi i Koresë së Jugut gjithashtu analizoi aktivitetin neutralizues ndaj varianteve kryesore shqetësuese të koronavirusit, tha Agjencia e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve në Korenë e Jugut.
Asnjë nga kombinimet nuk demonstroi aktivitet të zvogëluar neutralizues kundër variantit Alfa, të identifikuar së pari në Britani, por neutralizimi u ul me 2.5 deri në 6 herë ndaj varianteve Beta, Gama dhe Delta, të zbuluara së pari në Afrikën e Jugut, përkatësisht në Brazil dhe Indi.