Reshjet e vrullshme të shiut në Indinë veriore rrëzuan gurë nga kodra, duke i marrë jetën 9 turistëve.
Gurët zunë poshtë makinën me të cilën ata po udhëtonin, Himachal Pradesh.
3 persona të tjerë janë plagosur dhe po marrin trajtim në spital.
Në videot e shpërndara në rrjetet sociale, duken gurët që bien nga maja e kodrës mbi urë. Kreu i rajonit Himachal Pradesh, Jairam Thakur, e përshkroi incidentin si “pikëllues”.
Ndërkohë, kryeministri indian Narendra Modi tha se qeveria do ndajë fonde të posaçme për familjarët e të prekurve nga incidenti tragjik.
Nuk është ende e qartë se çfarë e shkaktoi incidentin, megjithatë ishin bërë paralajmërime për rrëshqitje të mundshme të tokës për shkak të reshjeve të mëdha të shiut.
Të paktën 136 njerëz janë vrarë në shtetin perëndimor indian Maharashtra pasi reshjet e shiut përmbytën qindra fshatra, duke marrë para shtëpitë e banorëve.