Flamuri i Republikës së Kosovës është ulur në gjysmë shtizë për aksidentin tragjik që ndodhi të dielën në Kroaci, ku mbetën të vdekur 10 persona dhe dhjetëra të tjerë u lënduan.
Në nderim të viktimave të aksidentit që tronditi vendin, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur këtë të hëne ditë zie.
Aksidenti i autobusit të kompanisë “Deva Tours” po udhëtonte nga Frankufurti drejt Prishtinës.
Mëngjesin e kësaj të hëne, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla ka treguar se dy nga personat e lënduar gjenden në mjekim intensiv e njëri nga ta është në gjendje më të qëndrueshme.
Dhjetë qirinj që simbolizojnë dhjetë jetët e humbura në aksidentin në Kroaci u ndezën pranë Teatrit Kombëtar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë mbrëmjen e së dielës.