Detaje të reja nga aksidenti në Kroaci/ 10 të vdekur, 44 të plagosur dhe 15 në gjendje të rëndë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës(MPJD), përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se nga komunikimi me autoritetet kroate dhe nga të dhënat e konfirmuara deri në orën 11:30, si pasojë e një aksidenti tragjik në trafik që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë kanë humbur jetën 10 persona, 44 kanë marrë ndihmë mjekësore dhe 15 prej tyre janë me lëndime më të rënda.

Ministria ka shprehur keqardhje të thellë për humbjen e jetëve.

“Iu shpreh ngushëllime të sinqerta familjarëve të viktimave dhe ju dëshiron shërim të shpejtë të lënduarve. Gjatë ditës së sotme Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, ka zhvilluar bisedë telefonike me homologun e saj kroat Gordan Grlić Radman. Ky i fundit ka shprehur ngushëllime për viktimat dhe ka siguruar Gërvallën se do të angazhohen të gjitha instancat relevante për t’iu dalë në ndihmë të lënduarve”, shkruhet në njoftim.