Teksa varianti “Delta” i Covid 19 po përhapet në të gjithë botën, Izraeli po kryen provat e para klinike të një vaksine orale, në formën e kapsulës.
Kjo lloj vaksine mund të shpërndahet më lehtë në vendet e varfra dhe mund të jetë një mundësi e mirë për të trajtuar koronavirusin.
Sipas revistës “Forbes”, Oravax Medical, një kompani e përqendruar në zhvillimin e terapive orale, po përgatitet të fillojë provat klinike të një vaksine kapsule Covid 19 .
Kompania ka marrë aprovimin nga Komiteti i Auditimit në Spitalin Ichilov, spitali qendror në Tel Aviv dhe tashmë është në pritje të miratimit përfundimtar nga Ministria izraelite e Shëndetësisë.
Provat e para klinike do të përfshijnë 24 vullnetarë të pavaksinuar. Secili prej tyre do të marrë një ose dy pilula. Ndërsa shkencëtarët do hulumtojnë dhe studiojnë sigurinë e vaksinës.
Nëse gjetjet janë pozitive, atëherë shkencëtarët do të vazhdojnë me prova më të mëdha klinike për të parë nëse vaksina është e suksesshme.
Vaksina në formë kapsule do të jetë “shumë më rezistente ndaj mutacioneve Covid 19”, thonë shkencëtarët.
Shkencëtarët kanë sqaruar se përparësia e kompanisë është të sigurojë vaksinën në formë kapsule për personat që i përkasin grupeve më të riskuar nga Covid 19.