Fiks në orën 20:00 (ora lokale) në Stadiumin Olimpik të Tokios u ndezën dritat e ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike Verore.
Ato u shtynë një vit për shkak të pandemisë.
Ceremonia e hapjes filloi me imazhin e një sportisteje të vetmuar për të tërhequr vëmendjen për problemet e sportistëve gjatë pandemisë.
Lojërat Olimpike Verore po zhvillohen pa spektatorë, por gjithësesi me disa të ftuar të shquar për ceremoninë e hapjes.
Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, qe i pranishëm në stadiumin olimpik së bashku me Perandorin japonez Naruhito.
Ndër të ftuarit në ceremoninë e hapjes ishte edhe zonja e parë, Jill Biden, që erdhi nga SHBA si dhe presidenti francez Emmanuel Macron.
Atletët hynë relativisht shpejt në stadiumin olimpik dhe e përshkuan po ashtu relativisht shpejt pistën rreth tribunave për të evituar infektimet.
Shumica e ekipeve ndoqën rekomandimin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që flamurin ta mbanin një sportiste femër dhe një mashkull.
Për ekipin e Britanisë së Madhe flamurin e mbajtën Hannah Mills dhe Mohamed Sbihi.
Ajo që nuk transmetohet në pamjet televizive është fakti se shumë atletë u larguan menjëherë pas parakalimit nga stadiumi pa pritur që të mbaronte festa, për të shmangur qëndrimin në pjesët e brendshme të stadiumit.
Kurse disa të tjerë, si tenisi serb Novak Djokovic, nuk morën fare pjesë në ceremoni.
Nxehtësia dhe pandemia e bëjnë ceremoninë jo vetëm të këndshme, por edhe stresuese.
Sportistët nga Taxhikistani shkaktuan një turbulli të vogël, sepse hynë në stadium pa maskat e detyrueshme. Ende nuk dihet se pse, por vështirë se mund t’i kenë harruar ato në dhoma nga eksitimi./ DW