Se sa e ndarë është popullsia e Bosnjë-Hercegovinës u tregua edhe një herë nga invazoni i Rusisë në Ukrainë, i cili bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare.
Ndërsa boshnjakët dhe kroatët në vend e dënuan ashpër agresionin e Moskës, shumë nga serbët e Bosnjës treguan mirëkuptim për Moskën. Kjo simbolizon problemin thelbësor, që errësoi aktin themelues të shtetit boshnjak para 30 vjetësh.
Më 1 mars 1992 popullsia e vendit, i cili deri atëherë kishte qenë pjesë e Jugosllavisë, votoi pothuajse me 100% të votave për pavarësinë, por serbët, që përbënin rreth një të tretën e banorëve të Bosnjës, e bojkotuan votimin. Si reagim ndaj kësaj ata krijuan të ashtuquajturën Republika Srpska si shtetin e tyre jashtë Bosnjë-Hercegovinës. Pasoi një luftë e përgjakshme civile me më shumë se 100.000 të vdekur dhe 2.3 milionë të dëbuar.Vetëm ndërhyrja ushtarake e NATO-s i uli tri palët në konflikt në bisedime në 1995 dhe vendosi një traktat paqeje.
Por kushtetuta e vendosur nga SHBA dhe BE i dha fund luftës pa sjellë paqe. Edhe struktura e ndërlikuar e shtetit nuk premtoi që në fillim asgjë të mirë: serbët ortodoksë morën gjysmën e vendit, që ka një autonomi shumë të gjerë. Gjysmën tjetër e ndanë myslimanët boshnjakë, të cilët përbëjnë rreth gjysmën e popullsisë së vendit, si dhe rreth 15 për qind të qytetarëve të Bosnjës, që janë kroatë katolikë. Sikur kjo të mos mjaftonte, pjesa boshnjako-kroate e vendit u nda në dhjetë “kantone”. Dhe në fund “kondominiumi i qytetit Brcko” fare në veri të vendit, qeveriset bashkarisht nga të dyja gjysmat e vendit, të quajtura „entitete”.
Kështu administrata e fryrë e Bosnjës së pasluftës gllabëron pjesën më të madhe të buxhetit të shtetit. Partitë nacionaliste, të cilat dominuan gjithçka që në fillim, vazhduan të nxisin popullatën kundër njeri-tjetrit edhe pas përfundimit të luftës. Të mbrojtur nga këto luftime gjoja populiste, ata ndanë mes tyre burimet publike: ndërmarrjet e mëdha shtetërore, rrjetet publike të energjisë, rrugët dhe hekurudhat, bankat, mediat apo kompaninë e lotarisë shtetërore. Kjo ndarje e pasurisë kombëtare ushqen korrupsionin dhe nepotizmin, që janë të kudogjendshëm dhe zakonisht mbeten të pandëshkuar. Sepse edhe gjyqësori është nën kontrollin e elitave politike nacionaliste.