Depozitat arrijnë rekordin e 10 miliardë eurove në 2021, rritje e ndjeshme dy vitet e fundit

Në fund të vitit 2021, individët bizneset dhe institucionet kishin të depozituara në sistemin bankar 1.22 trilionë lekë, ose gati 10 miliardë euro. Ky është niveli më i lartë historik i regjistruar ndonjëherë, pas viteve ’90.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kursimet në banka në vitin 2021 u shtuan me 9.4%, ose gati 860 milionë euro. Kjo është rritja më e lartë vjetore që nga viti 2010, kur sistemi pa një zgjerim të fortë për shkak të kthimit të depozitave pas tërheqjes së tyre nga frika e krizës financiare 2008-2009 (shih grafikun: Ndryshimi vjetor i depozitave në raport me vitin e mëparshëm).

Rritja në 2021 ka ardhur në gati 70% nga valuta, por edhe kursimet në monedhën vendas ishin në zgjerim (shih grafikun: Ecuria e depozitave sipas llojit të monedhës). Depoztta në valutë u rritën me 11.6% me bazë vjetore, ndërsa ato në lekë me 6.3%.

Si korportatat financiare ashtu dhe rezidentët kanë pasur një vit të mirë, duke arritur që të shtojnë ndjeshëm kursimet në banka.

Të dhënat historike të bankës së Shqipërisë tregojnë se rritja e kursimeve në banka është përshpejtuar ndjeshëm dy vitet e fundit (2020-2021), pasi në periudhën 2017-2018 shënuan rënie për herë të parë në historinë e pas tranzicionit dhe ngadalësimit të ndjeshëm në 2013-2016. Gjatë vitit pandemik kursimet u nxitën nga monedha vendase, teksa individët nuk kishin shumë mundësi të shpenzonin, ndërsa në 2021 ishte valuta ajo që udhëhoqi rritjen. Gjithsesi, edhe kursimet në lekë po rriten tre vitet e fundit, pas rënies së tyre që u nxit nga lehtësimi i politikës monetare të Bankës së Shqipërisë nga viti 2011, me uljen e vazhdueshme të normave të interesit. Kjo bëri që individët të mos kishin interest ë depozitonin kursimet me afat të gjatë.

Valuta mbetet monedha më e preferuar për të kursyer, e ndikuar dhe nga prurjet e emigrantëve. Në fund të vitit 2021, rreth 55.4% e kursimeve ishin në valutë, kryesisht në euro, nga 48.3% një dekadë më parë.

Burimi: BSH
Burimi: BSH
Burimi: BSHBurimi: Monitor