Energjia e rinovueshme, Shqipëria pjesë e sistemit elektronik të 8 vendeve për garancinë e origjinës

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë njoftoi më herët se një sistem elektronik, ku përfshihen tetë vende mes të cilëve dhe Shqipëria, do të ngrihet në vijim sa u takon garancive të origjinës.

Ky sistem do tu vërtetojë me dokumente konsumatorëve fundore sasinë e caktuar të energjisë që është prodhuar nga burimet e rinovueshme dhe vjen si pjesë e përshpejtimit të tranzicionit të energjisë drejt asaj të pastër.

“Komuniteti i Energjisë nisi zbatimin e një projekti për krijimin e një sistemi elektronik për garancitë e origjinës në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Gjeorgji, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Moldavi, Mal të Zi dhe Ukrainë. Garancitë e origjinës (GO) janë dokumente elektronike që vërtetojnë për konsumatorët fundorë se një sasi e caktuar e energjisë elektrike është prodhuar nga burime të rinovueshme të energjisë.

Drejtori i Sekretariatit,  Artur Lorkowski, komentoi se garancitë e origjinës mund të jenë një ndryshim i vërtetë i lojës duke nxitur investime të reja në burimet e rinovueshme. Për më tepër, ajo do t’i japë Palëve Kontraktuese një fillim në zbatimin e Direktivës së Energjisë së Rinovueshme, një nga elementët kyç të Paketës së Energjisë së Pastër të miratuar rishtazi.

Qëllimi i projektit është të vendosë një sistem elektronik për të menaxhuar lëshimin, transferimin dhe anulimin e garancive të origjinës në përputhje me rregullat dhe parimet e BE-së. Sistemi do t’i mundësojë secilës Palë Kontraktuese të ketë regjistrin e saj kombëtar, ndërkohë që do të jetë në gjendje të tregtojë garancitë e origjinës në nivel rajonal.

Pas një procedure tenderimi publik në vitin 2021, Grexel Ltd, pjesë e EEX Group, u zgjodh për të mbështetur zbatimin e projektit. Serbia ka krijuar tashmë një sistem elektronik për garancitë e origjinës” thuhet në njoftimin e Sekretariatit.

Kjo iniciativë vjen në kushtet kur ka gjithmonë e më shumë vëmendje drejt orientimit tek burimet e rinovueshme të energjisë në përpjekje të arritjes së objektivave të vendosura për uljen e ndotjes si dhe ato të klimës./Monitor