SPAK çon për gjykim 17 zyrtarë të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës

Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka mbyllur hetimet për 17 zyrtarë të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, duke e çuar për gjykim procedimin penal.

Ata akuzohen për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Sipas hetimeve të kryera, ka rezultuar se shtetasit Besnik Hyka, Ilir Ahmetaj, Gëzim Bazha, Gazmend Canaj, Admir Burri, Neritan Bablusha, Panol At Nikolla, Ivi Cico, Fjoralb Demiraj, Shpëtim Bakia, Bedri Halili, etj., janë përfshirë në veprime të kundërligjshme, duke premtuar ose dhënë përfitime materiale të parregullta për kryerjen e veprimeve që lidhen me detyrën e nëpunësve publikë, por edhe për përfitime materiale që lidhen me kryerjen ose moskryerjen e veprimeve që lidhen me detyrën e tyre, si dhe ndikim të paligjshëm tek persona që ushtrojnë funksione publike, me qëllim kryerjen e veprimeve në mospërmbushje të rregullt të detyrës.

SPAK, tregon se është provuar se i pandehuri Admir Burri në bashkëpunim me të pandehurit Gazmend Canaj dhe Neritan Bablusha në disa raste kanë ushtruar ndikim të paligjshëm tek punonjësit shtetëror dhe në disa raste kanë ofruar përfitim monetar për të kryer ose mos kryer veprime në lidhje me aplikime/kërkesa të bëra nga shtetas të ndryshëm, për marrjen e shërbimeve të ndryshme kadastrale.

Mësohet se Gazmend Canaj, Admir Burri, Neritan Bablusha, Ivi Cico, Fjoralb Demiraj e kanë ushtruar prej kohësh veprimtarinë e tyre të kundraligjshme, duke u përfshirë në disa episode që lidhen kryesisht me ndërmjetësimin e tyre me qytetarë të ndryshëm dhe punonjës të ASHK-së, sikurse është i pandehuri Panol At Nikolla, me detyrë Zëvendës/drejtor i Drejtorisë Vendore të ASHK-së Tirana Rurale 2, për përshpejtimin e procedurave të marrjes së shërbimeve kadastrale dhe pajisjes së tyre me dokumente pronësie, kundrejt ndërveprimit korruptiv.