Skandal në Spanjë/ Dhëndri i familjes mbretërore kapet “mat” me dashnoren në mes të Francës

Ndonëse një vit më parë, ish-mbreti i Spanjës 84-vjeçar, Juan Carlos, u “arratis” në Dubai për të “shpëtuar” monarkinë, pas përfshirjes së tij në një skandal ryshfeti dhe lidhjeve të njëpasnjëshme jashtëmartesore, një skandal i ri vjen për të prishur qetësinë në Pallatin Mbretëror të Madridit.
Iniaki Urdangarin, 54 vjeç, bashkëshort i 56-vjeçares Infanta Cristina, motra më e vogël e Mbretit të Spanjës, u kap “mat” të mërkurën e 20 janarit  nga paparacët  e revistës spanjolle “Lecturas”, duke shëtitur dorë për dore me një bionde simpatike në një plazh, në jug të Francës.

“Motra e Mbretit spanjoll ishte në dijeni të marrëdhënies jashtëmartesore të bashkëshortit të saj”, shkruajnë mediet vendase.
Edhe pse pas publikimit të fotove të dhëndrit mbretëror me dashnoren e tij, skandal i madh  shpërtheu në vend një burim i afërt me Infanta Cristina ka thënë për revistën “Hola!” se motra e Mbretit nuk u befasua me foton pasi ajo është në dijeni të marrëdhënies të shoqit me kontabilisten.