Puna në distancë, një realitet i ri i të punuarit

Sektori bankar do të vazhdojë të zbatojë modelin e punës në distancë.

Drejtoresha e divizionit të Burimeve Njerëzore në Raiffeisen Bank, znj. Valbona Zeneli, tha për “Monitor” se një nga sfidat me të cilën përballen departamentet me fokus njerëzit është angazhimi i stafit në modalitetin virtual.

Të punuarit në distancë, sipas znj. Zeneli po zbatohet nga 20% e stafit, pasi smart working konsiderohet një benefit dhe jo një detyrim.

 

A vazhdon të zbatohet ende puna nga shtëpia në kompaninë tuaj?

Patjetër që po! Pandemia funksionoi si një përshpejtues i një qasjeje të nisur që më parë, duke pasur parasysh jo vetëm ofrimin e fleksibilitetit për punonjësit me qëllim përmirësimin e eksperiencës së tyre, por për ta bërë Raiffeisen Bank Shqipëri një vend edhe më tërheqës për të punuar, me mënyra alternative pune.

Puna në distancë u bë e detyruar në pandemi, por ajo që ne ndeshëm gjatë asaj periudhe nuk është mënyra e të punuarit në distancë e mirëfilltë që ne kishim imagjinuar dhe projektuar për punonjësit tanë.

Ajo që kemi bërë gjatë kohës së pandemisë, nuk është situata ideale e të punuarit në distancë, pasi diktohet nga kufizimet dhe jo nga dëshira e lirë për të punuar nga shtëpia. Ne zhvilluam disa sondazhe gjatë pandemisë, për të kuptuar se çfarë dëshironin vërtet punonjësit, dhe patëm rezultate deri diku konfuze. Shumë prej tyre, duke parë natyrën “detyruese” të punës nga shtëpia, dëshironin të punonin nga zyra.

Por tani gjërat kanë ndryshuar. Ne kemi adaptuar një mënyrë krejt të re të të punuarit, ku puna në distancë, konsiderohet një benefit dhe jo një detyrim. Duke qenë se në përgjithësi jemi të orientuar ndaj rezultateve dhe jo ndaj kohës që stafi ynë punon brenda një zyrë, na vjen natyrshëm që të kemi 20% të stafit në punë nga shtëpia në çdo kohë, në situatë normale.

 

Cilët janë sektorët më fleksibël brenda kompanisë që e mundëson punën në distancë?

Mund të them me bindje se të parët që kanë përqafuar këtë mënyrë të re pune janë rolet me natyrë dixhitale, Teknologjia e Informacionit, dhe kjo ka ndodhur që përpara pandemisë. Për vetë natyrën e punës, e cila mund të bëhet në çdo vend e në çdo kohë, shumë nga kolegët tanë në divizionin e IT janë duke punuar në këtë mënyrë prej kohësh.

Gjithashtu, ne jo vetëm ecim me hapin e kohës, por përpiqemi të caktojmë standarde të reja që të drejtojmë tregun dhe kandidatët në mënyra sa më komode dhe eficiente të të punuarit, dhe si të tillë, kemi qenë nga të parat organizata të këtij niveli që kemi prezantuar këtë mënyrë të të punuari.

Por sigurisht ka disa role të cilat kanë pak ose aspak mundësi për të punuar në distancë, përmend këtu stafin e degëve dhe disa role, që kanë nevojë për bashkëpunim dhe ndërveprim të ngushtë me të tjerët.

 

A ka punonjës të cilët janë gati të japin dorëheqjen nga puna, pasi preferojnë më tepër të punojnë nga shtëpia? 

Nuk kemi pasur asnjë rast të tillë. Këtu do doja të sillja faktin që shumë punonjës na janë bashkuar rishtazi e kanë kërkuar mundësinë e punës në distancë, që do të thotë se ky është realiteti i ri me të cilin ne do punojmë gjatë. Ka një kërkesë në rritje të të rinjve dhe stafit të specializuar për fleksibilitet në punë.

 

Cilat kategori punonjësish dëshirojnë më tepër të punojnë në smart working, burrat, gratë, punonjësit e rinj apo ata në karrierë?

Nuk do të doja të veçoja meshkuj apo femra, por do doja të theksoja që niveli në rritje i kërkesave që punonjësit kanë për veten, dhe nga fakti se pandemia ka ndikuar në rritjen e vlerësimit të njerëzve për kujdesin ndaj vetes, shëndetin mendor, kalimin e kohës me familjen dhe rëndësia shumë e madhe që i japim edhe balancës jetë personale/profesionale, sjell një nivel të lartë të pranimit të këtij modaliteti të të punuari.

Sfida jonë, si divizion me në fokus njerëzit, është që do të na duhet të bëjnë përpjekje shtesë për të rritur angazhimin e stafit edhe në këtë modalitet virtual dhe të sigurohemi që të gjithë të kenë akses në mundësi të reja në punë, në zhvillim dhe të kenë informacion transparent e të vazhdueshëm./ Monitor