Edi Rama do të mbledhë të mërkurën ministrat e kabinetit qeverisës për të marrë prej tyre një bilanc të punës 100-ditore, një takim tradicional ku prej 2013-s, secili prej vartësve të tij paraqet objektivat e realizuar dhe ato që ka në plan.
E mes 16 ministrave të tij me dhe pa portofol do të raportojë edhe ministrja me portofollin më të madh. Delina Ibrahimaj do të paraqesë para Kryeministrit “sukseset” e veta në 100 ditët e para në këtë post dhe nga ato që kanë ndodhur prej shtatorit, ministrja e Financave dhe Ekonomisë ka pak për t’u mburrur.
Por me se do të krenohet Delina Ibrahimaj në raportimin e 100 ditëve të para të saj në krye të financave të shtetit shqiptar? A mund të krenohet ministrja me borxhin 650 milionë eurosh të marrë përmes eurobondit dhe për më tepër me dyfishin e normave të interesit me të cilën vende të rajonit, si Serbia dhe Maqedonia e Veriut e kanë siguruar po brenda këtij viti?
A mund të krenohet ministrja Delina Ibrahimaj me paketën fiskale? Përmes saj ajo ndëshkoi dyfish fermerët dhe sektorin e bujqësisë në tërësi, që jep rreth 20 për qind të GDP-së. Si? Përmes rritjes së taksave dhe heqjes së rimbursimit prej 6 për qind të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.
A mund të krenohet me përballimin e pandemisë? Ministrja Ibrahimaj mund të jetë e vetmja ministre financash që mendon se biznesi i vogël dhe i mesëm e ka tejkaluar pandeminë dhe pasojat e saj. Kjo mund të jetë një arsye se përse Ibrahimaj nuk ka ofruar asnjë fond financiar në mbështetje të biznesit të vogël dhe atij të mesëm.
Mund të krenohej me financimin e start up-eve, por “fatkeqësisht” edhe fondin prej 2.5 milionë eurosh në këtë drejtim ia rrëmbeu ministrja e Sipërmarrjes, Edona Bilali.
A mund të krenohet ministrja e Financave me procesin e fiskalizimit, i nisur që prej kohës kur ajo mbante postin e drejtores së Tatimeve? Nga shtyrja e vazhdueshme afatit të përmbylljes së fiskalizimit, edhe ky vështirë se do të mund të quhet sukses. Procesi do të duhet të përmbyllet brenda këtij viti, por nga deklaratat e përfaqësuesve të biznesit të vogël dhe të mesëm, afatet mund të shtyhen përtej kësaj date.
Një pikë të fortë suksesi, ministrja Ibrahimaj ka përmendur rritjen e të ardhurave nga doganat e tatimet. Edhe ky duket një sukses më shumë imagjinar se sa real. Të ardhurat vërtet mund të jenë rritur, por ato nuk janë rritur nga zgjerimi i bazës së tatim-paguesve, apo rritja e importeve dhe eksporteve në krahasim me periudhën para se Ibrahimaj të emërohej ministre Financash, por arsyeja nuk lidhet me punën e Ibrahimajt.
Rritja e fortë e inflacionit në Europë dhe vendet me të cilat Shqipëria ka marrëdhëniet më të mëdha në import-eksporte, sidomos gjatë muajit nëntor ka sjellë rritje të çmimeve, që rrjedhimisht ka sjellë edhe më shumë para të mbledhura nga TVSh, apo taksat e tjera kombëtare, që bazohen te vlera e produktit, apo shërbimit. Pra, sa më e lartë vlera e në produkti a shërbimi, aq më e lartë do të jenë të ardhurat e siguruara në buxhet nga taksimi i tij.
Por ka diçka me të cilën ministrja e Financave mund të mbahet mend. Ajo asnjëherë nuk ka dalë e vetme në një konferencë për shtyp që të shpjegojë para publikut “arritjet” e veta, apo politikat fiskale dhe ekonomike që drejton në Qeveri. Arsyeja duket thjeshtë se s’ka çfarë të thotë.
Se nuk ka çfarë të thotë u pa edhe gjatë mbrojtjes që ministrja Ibrahimaj i bëri buxhetit 2022 dhe paketës fiskale në komisionet parlamentare. Në Komisionin e Ekonomisë, ministrja u vu në më shumë se një rast në vështirësi nga pyetjet e deputetëve, sidomos të Erion Braçes.
I tillë ishte edhe momenti, kur Erion Braçe i kërkonte sqarime në debatet e zhvilluara, ku një pjesë e mirë e pyetjeve të tij si përgjigje morën fjalinë: “Do të dërgoj me shkrim një raport me të gjitha të dhënat…”.
Burimi: Gazeta Shqip