Nëntor, llogaritë e qeverisë në valutë arrijnë vlerën më të lartë historike

Qeveria shqiptare i shtoi llogaritë në valutë të mbajtura në Bankën e Shqipërisë me rreth 700 milionë euro gjatë muajit nëntor.

Statistikat e bankës qendrore tregojnë se likuiditetet në llogaritë e transferueshme në valutë të huaj të qeverisë shqiptare u rritën me pesë herë e gjysmë gjatë muajit të kaluar dhe arritën vlerën ekuivalente të 104 miliardë lekëve (rreth 860 milionë eurove).

Kjo është vlera më e lartë historike në valutë të huaj e mbajtur ndonjëherë nga qeveria shqiptare.

Rritja e likuiditetit të qeverisë në valutë të huaj lidhet kryesisht me arkëtimin e parave të Eurobondit prej 650 milionë eurosh që u emetua në mesin e muajit nëntor. Sipas informacionit të qeverisë shqiptare, këto para do të përdoren për mbulimin e deficitit buxhetor, kryesisht gjatë vitit 2022, por edhe për shlyerjen e detyrimeve të maturuara të borxhit të jashtëm.

Një rritje e ngjashme e llogarive të qeverisë në valutë të huaj u shënua edhe pas emetimit të Eurobondit të qershorit 2020. Rritja e gjendjes së llogarive të qeverisë shqiptare në valutë pritet të reflektohet, edhe në rezervën valutore të vendit. Qysh në fund të tetorit, Rezerva Valutore e Bankës së Shqipërisë arriti nivelin më të lartë historik, në vlerën e 4.2 miliardë eurove.

Megjithatë, duke qenë se pjesa më e madhe e këtyre parave do të shërbejnë për të shlyer detyrime që maturohen në të ardhmen e afërt, ndikimi i përdorimit të këtyre parave në tregun valutor dhe ekonominë shqiptare do të jetë i kufizuar në kohë dhe në madhësi.

Mbulimi i deficitit buxhetor nëpërmjet huamarrjes së huaj rrit ofertën e valutës dhe kryesisht të euros në tregun valutor. Sipas ekspertëve, shtimi i ofertës për shkak të Eurobondit mund të jetë një nga faktorët që ka ndikuar në nënçmimin e mëtejshëm të monedhës europiane në kursin e këmbimit me lekun. Historikisht, qeveria e shpenzon pjesën më të madhe të deficitit buxhetor të parashikuar gjatë muajve të fundit të vitit. Gjatë muajit dhjetor, kursi i këmbimit euro-lek ka prekur nivelet më të ulëta të dy viteve të fundit. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro ditën e mërkurë këmbehej me 120.78 lekë. Kjo vlerë është shumër nivelit të gushtit 2019, kur euro (121.75 lekë) ka shënuar nivelin më të ulët të 14 viteve të fundit.

Nga ana tjetër, sipas ekspertëve, rritja e huamarrjes në valutë të huaj shton rreziqet afatgjata të lidhura me shlyerjen dhe rifinancimin e borxhit. Rritja e normave të interesit dhe një nënçmim i mundshëm i monedhës kombëtare do të rriste kostot e shërbimit të borxhit publik. Sipas statistikave të Ministrisë së Financave, në fund të muajit shtator, borxhi publik në monedhë të huaj kishte vlerën e 600 miliardë lekëve ose rreth 47% e stokut të borxhit publik./ Monitor