Procesi i votimit për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, ka nisur me probleme teknike, që kanë të bëjnë me aparatet biometrike për votim.
Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski tha se në shumë vendvotime aparatet ose nuk kanë mund të vihen në përdorim ose votuesit nuk kanë mundur të identifikohen.
“Me kalimin e kohës, gjendja me aparatet po përmirësohet dhe tani janë një numër i vogël i vendvotimeve ku kemi ende probleme”, ka deklaruar Dashtevski duke bërë të ditur se votimi në këro vendvotime do të zgjasë edhe pas orës 19:00, për aq kohë sa kishte ndërprerje, por jo më shumë se tre orë.
Edhe komisionerët në qendrat e votimit thonë se përballen më shumë probleme teknike pasi një pjese të konsiderueshme të qytetarëve aparati për identifikimin e shenjave të gishtit nuk ua lexon të dhënat personale.
“Procesi zgjedhor këtë vit rrjedh më ngadalë për shkak të aparatit të leximit të shenjave të gishtave. Kjo shkakton revoltë te qytetarët në rastet kur nuk mund të lexojnë shenjat e gishtave pasi aparati nuk e tregon identitetin ndërkohë që ai qytetar është i evidentuar si votues në listën zgjedhore” thotë Enver Shabani komisioner në një qendën votimi në komunën e Çairit.
Nga ana tjetër Mimoza Radevska nga një qendër votuese në komunën Qendër të Shkupit thotë se risi kanë sjellë probleme të cilat, siç thotë, gradualisht tejkalohen.
“Aparati tregon se është i dobët kualiteti i shenjave të gishtave. Dhe në atë rast vazhdon votimi me identifikimin përmes kartës së identitetit ose pasaportës dhe përdoret llampa me rreze ultravjollcë dhe spreji ndërkohë që shenja e gishtit tregues vendoset në një listë të veçantë”, thotë Radevska.
Nërkohë qytetarët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë presin kushte më të mira në komunat ku jetojnë.
Jasin Ademi, student, thotë se pret që të krijohen kushte më të mira në komunën e Çairit ku jeton, veçanërisht përmirësimin e infrastrukturës për të lëvizur me biçikleta dhe kushte më të mira në shkolla.
“Më së pari kushte më të mira në shkolla. Shkollat nuk janë të rregulluara aspak. Unë kam mësuar në shkollën e mesme Cvetan Dimov ngrohje nuk ka pasur, mungojnë kushte elementare”, thotë Ademi.
Nga ana tjetër Dragi Ilievski thotë se nga kryetari i ri i Shkupit pret që të angazhohet për krijimin e më shumë hapësirave të gjelbëra.
“Nga kryetari i ri pres të angazhohet që ta bëj më të mirën për komunën e ajo është të mos uzurpohen hapësirat e gjelbëra”, thotë Ilievski.
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të dielën u janë drejtuar kutive të votimit për zgjedhjet e kryetarëve të 80 komunave dhe të këshillave komunalë, si dhe Shkupin me dhjetë komuna, që është njësi e veçantë e pushtetit lokal.
Të drejtë vote, sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, (KSHZ) kanë 1,824.864 qytetarë, të cilët për herë të parë votojnë me sistemin e ri biometrik – identifikimin e votuesve përmes gjurmëve të gishtave, i njohur si “fingerprint”.
Qytetarët votojnë me protokolle shëndetësore për mbrojtje nga pandemia e koronavirusit. Maskat mbrojtëse, distanca dhe dezinfektimi janë kriteret kryesore për realizimin e procesit votues.
Vendvotimet do të mbyllen në orën 19:00 ndërsa rezultatet pritet të publikohen në faqen elektronike të KSHZ-së, ashtu siç arrijnë nga qendrat e votimit.
Për kryetarë të komunave garojnë 299 kandidatë dhe 577 lista këshilltarësh me 10,600 kandidatë.
Më së shumti kandidatë ka për kryetar të Shkupit, gjithsej 12.
Për herë të parë ka numër të madh të kandidatëve të pavarur për kryetarë të komunave dhe lista për këshilltarët komunalë.
Në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve janë regjistruar 24 kandidatura të pavarura.
Nga të gjithë kandidatët për kryetarë komunash, 25 janë gra.
Zgjedhjet mbahen me dy rrethe zgjedhore. Nëse asnjëri nga kandidatët nuk merr mbi 50 për qind të votave në rrethin e parë, atëherë në balotazhin më 31 tetor kalojnë dy kandidatët me numrin më të madh të votave në rrethin e parë.
Gara kryesore në këto zgjedhje zhvillohet mes dy blloqeve politike; LSDM-së dhe BDI-së që janë në pushtet dhe partive opozitare VMRO-DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.
Partitë shqiptare garën do ta zhvillojnë për qytetet me shumicë shqiptare, si Tetovë, Gostivar, Çair, Kërçovë, Strugë, Dibrë si dhe disa komuna rurale.
Beteja mes partive maqedonase është përqendruar në qytetet e mëdha si Shkupi, Manastiri, Prilepi, Ohri, Velesi, Shtipi, dhe komunat tjera më të vogla.
Shumica e komunave aktualisht drejtohen nga Lidhja Social – Demokrate e kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev ndërsa komuna me shumicës shqiptare nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Zgjedhjet do të mbikëqyren nga 1,100 vëzhguesit vendorë dhe 217 vëzhgues nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë OSBE-ODIHR.
Vëzhguesit e tyre do t’i kenë edhe shumë ambasada të huaja të akredituara në vend.
Në të gjitha 3.480 vendvotimet do të ketë pjesëtarë të forcave policore për sigurimin e procesit të rregullt zgjedhor.
Të shtunën, policia ka arrestuar katër persona të dyshuar për shpërndarje të parave për blerje të votave.
Të shtunën, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar të burgosurit, të moshuarit me sëmundje kronike, personat me invaliditet si dhe të infektuarit me koronavirus.
Zgjedhjet e së dielës për pushtetin lokal, janë të shtatat me radhë që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, në vitin 1991./ REL