Dy ekspertë të klimës dhe një teoricien italian janë shpallur këtë vit fituesit e çmimit Nobel në Fizikë nga Akademia Mbretërore e Shkencave në Suedi. Shkëncëtarët Syukuro Manabe, Klaus Hasselmann dhe Giorgio Parisi u vlerësuan për kërkimet e tyre mbi modelet klimatike dhe të kuptuarit e sistemeve fizike.
Shkencëtari amerikano-japonez Syukuro Manabe, gjermani Klaus Hasselmann dhe teoricieni italian Giorgio Parisi janë shpallur fituesit e Çmimit Nobel të Fizikës për modelet klimatike dhe kuptimin e sistemeve fizike.
“Zbulimet që u njohën këtë vit tregojnë se njohuritë tona mbi klimën mbështeten në një bazë të fortë shkencore,” tha juria e Akademisë Mbretërore të Shkencave në Stokholm.
“Syukuro Manabe dhe Klaus Hasselmann hodhën themelet e njohurive tona për klimën e Tokës dhe sesi njerëzimi ndikon në të. Giorgio Parisi shpërblehet për kontributet e tij revolucionare në teorinë e materialeve të çrregullta dhe proceseve të rastësishme”, u shpreh Thors Hans Hansson, kryetar i Komitetit Nobel për Fizikë, në një deklaratë.
Manabe, 90 vjeç dhe Hasselmann, 89, ndajnë gjysmën e çmimit prej 1 milion euro për kërkimin e tyre mbi modelet klimatike, ndërsa Parisi, 73 vjeç, fitoi gjysmën tjetër për punën e tij mbi bashkëveprimin e çrregullimit dhe luhatjeve në sistemet fizike.
I pyetur me telefon nga gazetarët, teoricieni Parisi tha se tani duhet veprim për të luftuar ngrohjen globale për “brezat e ardhshëm”.
Vlerësimi ndaj shkëncëtarëve vjen një muaj përpara samitit të klimës COP26 që do të mbahet në Glasgow, ku ngrohja globale do të kryesojë axhendën botërore.
Duke punuar në vitet 1960, Manabe tregoi sesi nivelet e dioksidit të karbonit në atmosferë korrespondonin me rritjen e temperaturave të sipërfaqes së Tokës. Hasselmann u vlerësua për studimin se si modelet e klimës mund të mbeten të besueshme pavarësisht ndryshimeve ndonjëherë kaotike në trendet e motit.