Energjia 5 herë më shtrenjtë, Shqipëria pagoi 233 euro/MWh në blerjen e radhës

Furnizuesi i Tregut të Lirë mbylli këtë të premte ankandin e fundit për blerjen e energjisë për muajin tetor dhe bëhet fjalë për furnzimin gjate periudhës 4-10 tetor.

Çmimi mesatar i një megavati të blerë rezulton 233 euro, çmimi më i lartë me të cilin vendi ynë ka siguruar ndonjëherë energji nga tregu i lirë teksa një vit më parë e njëjta sasi energjie u sigurua për afërsisht 50 euro, raporton Revista Monitor.

Në total sasia e siguruar e energjisë është 58 mijë MWH duke akumuluar një fond prej 13 milionë eurosh për një javë furnizim me energji të vendit. Situata energjetike ka hyrë në një cikël të rrezikshëm pasi çmimet e blerjes po rriten nga java në javë ndërkohë që alarmi në treg lidhet me faktin që tashmë nuk bëhet më fjalë për çmim të lartë energjie por për sasi të disponueshme për blerje.

Furnizues dhe tregtarë të tregut pohojnë se situate është e ngjashme kudo në rajon dhe në Europë ku rritja e dukshme në bursa për shkak të kërkesës dhe situata jo e favorshme hidrike sidomos për vendet që kanë varësi ndaj këtij burimi siç është vendi ynë po prodhon jo vetëm çmime të kripura por edhe pasiguri për të ardhmen mbi furnizimin.

Furnizuesi i Tregut të Lirë prej disa muajsh po zhvillon ankande të njëpasnjëshme për sigurimin sasisë së energjisë së nevojshme për konsum në vend. Blerjet kanë marrë plotësisht edhe fondet e parashikuara për investime nga ana e kompanisë së shpërndarjes duke pezulluar këto të fundit dhe duke i dhënë prioritet furnizimit me energji. Financat e OSHEE prej dy vitesh po vuajnë tashmë efektin e viteve jo të mira hidrike ku importet kanë rezultuar në nivele të larta shpenzimesh ndërkohë që mbetet e paqartë cila do të jetë situate që do të pasojë në vijim.

Rritja e çmimeve të energjisë është raportuar kudo në Europë dhe që fillimisht erdhi si një shenjë e rimëkëmbjes ekonomike post-pandemi dhe rritjes së kërkesës në tregje ndërkohë që këtë problem tashmë po e hasin shumë vende globalisht.