Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen është pritur me ceremoni në Pallatin e Brigadave pasi mbërriti në Tiranë në kuadër të një turi vizitash që do të zhvillojë për dy ditë në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ursula Von er Leyen është parë e buzëqeshur gjatë ceremonisë së pritjes. Pas ceremonisë, u fut në ambientet e Pallatit të Brigadave ku zhvilloi një takim me kryeministrin Edi Rama dhe më pas me presidentin Ilir Meta në Presidencë.
Para se të mbërrinte, presidentja e KE bëri një postim në Tëitter ku bëri të qartë mesazhin që BE do të investojë në mënyrë strategjike për të ardhmen e përbashkët europiane.
“Sot filloj vizitën time në gjashtë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor përpara Samitit tonë javën e ardhshme. Mesazhi im është i qartë: ne ndajmë një të ardhme të përbashkët evropiane. Ne jemi duke e përgatitur atë tani. Duke kapërcyer COVID, së bashku. Duke investuar në mënyrë strategjike. Duke i dhënë mundësi rinisë sonë”, shkroi Von der Leyen.