Shqipëria përgatitet për San Marinon, ja dilemat e Rejës për formacionin

Në kampin kuqezi mbizotëron një atmosferë mjaft entuziaste pas fitores minimale 1-0 ndaj Hungarisë, që ka forcuar shpresat për të tentuar një vend në Katar 2022, ndërsa mendja e trajnerit Reja është te sfida e radhës ndaj San Marinos nesër në orën 20:45, sërish në “Elbasan Arena”.

Klaus Gjasula nuk do të jetë në dispozicion për sfidën e nesërme pasi ka plotësuar numrin e kartonëve, ndërsa në listën e mungesave janë edhe Amir Abrashi, Sokol Cikalleshi dhe Lorenc Trashi të cilët janë të dëmtuar.

Megjithatë tekniku italian mund të mbështetet te rikthimet e Elseid Hysajt, Rey Manajt dhe Keidi Bares, të cilët munguan për shkak kartonësh ndaj Hungarisë dhe do të jenë gati të zbresin në fushë nga minuta e parë.

Sa i përket formacionit për sfidën e nesërme, eja pritet të hedhë nga minuta e parë Thomas Strakoshën në portë, ndërsa treshja mbrojtëse me Ismajlin, Kumbullën e Gjimshitin, do të mbetet e pandryshuar për të tretën ndeshje radhazi.

Në mesfushë pritet të ketë më fushë ndryshime krahasuar me ndeshjen ndaj Hungarisë, pasi vendin e Amir Abrashit do ta marrë Qazim Laçi, i cili bëri minuta mjaft të mira edhe ndaj përfaqësueses maxhare, kur erdhi nga pankina.

Para mbrojtjes ka ende dilema nëse në vend të Gjasulës do të luajë Keidi Bare, apo do të aktivizohet Ylber Ramadani, ndërsa një fanellë titullari do të ketë sërish për Nedim Bajramin, aftësitë e të cilit janë të nevojshme për të çarë mbrojtjen e ngjeshur të miqve.

Në krah konfirmohet Albi Doka në të djathtë, që bëri mjaft mirë edhe ndaj Hungarisë, ndërsa në të majtë do të luajë Elseid Hysaj, që do të zëvendësojë Trashin e dëmtuar dhe do të mbajë shiritin e kapitenit në krah, në mungesë të Etrit Berishës.

Sa i përket sulmit është konfirmuar aktivizimi nga minuta e parë i Myrto Uzunit, por ka dyshime për partnerin e tij, që do të zgjidhet mes Rey Manajt dhe Armando Brojës, me këtë të fundit që vendosi fatin e takimit ndaj Hungarisë.

Sfida Shqipëri-San Marino do të startojë në orën 20:45, por emocionet e takimit në ekranin e Supersport 2 do të përcillen që nga ora 20:00 me emisionin “Kuqezi”, ku do të përcillen informacionet më të fundit, analiza e intervista me protagonistët./ SuperSport