304 viktima nga tërmeti në Haiti/ Vijojnë kërkimet për të mbijetuarit nën rrënoja

Ekipet e shpëtimit vijojnë të kërkojnë të mbijetuarit mes rrënojave pas tërmetit të fuqishëm prej 7.2 shkallësh që goditi Haitin dhe la të vdekur të paktën 304 persona mëngjesin e një dite më parë.

Epiqendra e tërmetit, që shkatërroi ndërtesa të shumta, ishte rreth 160 kilometra nga kryeqyteti Port-au-Prince.

Autoritetet thanë se të paktën 1.800 persona janë lënduar pas shkatërrimit të shumë ndërtesave.

Ekipet e shpëtimit janë duke vazhduar punën për të gjetur njerëzit që janë bllokuar nën rrënoja dhe Mbrojtja Civile tha se spitalet tashmë janë mbushur me persona të lënduar nga tërmeti.

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar ndihmë për Haitin dhe presidenti Joe Biden ka miratuar ndihmën e menjëhershme, ndërkaq Republika Dominikane ka dërguar 10.000 racione ushimore dhe pajisje mjekësore.

Doktorë nga Kuba kanë arritur në Haiti për të ndihmuar vendin në përballimin e fatkeqësisë.

Edhe Ekuadori, Meksika, Kili, Argjentina, Venezuela, Spanja kanë ofruar ndihmë për Haitin.

Haiti ende nuk është rikuperuar nga një tërmet prej 7 ballësh që goditi vendin më 2010 dhe la të vdekur mbi 200.000 persona. Nga tërmeti i vitit 2010, 1.5 milion banorë të Haitit ishin të pastrehë.