Tymi mbulon tunelin e Kalimashit, vazhdon puna për neutralizimin e vatrave aktive, ministri i Mbrojtjes në terren

Puna për të vënë në kontroll flakët në zonën pranë tunelit të Kalimashit ka vazhduar gjatë gjithë natës.

Në zonë ndodhet dhe një helikopter, që po ndërhyn nga ajri.

Kreu i Emergjencave, Haki Çako tha se ka qenë një natë e vështirë, por flakët janë vënë nën kontroll.

Sipas tij, zonat e banuara nuk janë në rrezik.

Situata tashmë është nën kontroll të plotë të Forcave të Strukturave të Mbrojtjes Civile. Ka qenë një natë shumë e vështirë pasi është krijuar një ambient i vështirë për tunelin e Thirrës i cili është një korridor shumë i rëndësishëm i komunikimit midis dy trojeve tona, të Shqipërisë dhe Kosovës.

Ka pasur një angazhim maksimal të të gjitha strukturave. Falë angazhimit të tyre, u shmang katastrofa për të depërtuar zjarrin në tunel. Tashmë jemi në një proces pune intensive, po punohet pasi janë rreth 3-4 vatra mbi tunel dhe në pjesën e malit, i cili krijon dekantimin e tymit dhe problemit që shkakton për shkak të djegies së pyjeve. Më duhet të theksoj se puna do të vazhdojë, është një punë shumë e vështirë për të gjithë zjarrfikësit dhe të gjithë pjesëmarrësit në këtë operacion. Është një moment që duhet të inkurajojmë dhe falenderojmë të gjithë për punën me orë të zgjatura dhe me të gjithë sakrificën që kanë marrë përsipër.

Për momentin po operohet edhe në bashkëpunim me forcat e ardhura nga Kosova. Zjarr është në distancë nga qendrat e banuara, por po punohet për ta shmangur qendrat e banuara. Nëse do të jetë e nevojshme, do të ndërhyhet për të bërë evakuimin e banorëve”, tha Çako.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi

Në terren ka mbërritur dhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Ai tha se mbrëmë ka qenë një situatë alarmante pasi zjarri ishte shumë pranë hyrjeve të tunelit, por falë organizimit të mirë të punës, me 10 mjete zjarrfikëse, dy prej të cilave kanë punuar gjatë gjithë natës, gjendja është stabilizuar.

Kjo ka bërë që të shmanget rreziku, tuneli të vijojë normalisht pa ndaluar. Sot është situata më e qetë, flakët janë larguar nga tuneli, tani po punohet edhe nga toka, dua të falenderoj prefektin e Kukësit dhe të Lezhës, të cilët janë në krye të punës dhe kanë rolin e pazëvendësueshëm të koordinimit“, tha Peleshi.

Ai falënderoi forcat e Kosovës, që mbërritën një natë më parë në vendin tonë.

Vazhdon prej disa ditësh zjarri në majën e Rrunës, aty sot kemi marrë një kontribut shtesë nga forcat e Kosovës, dua të falenderoj ministrin Armend Mehaj, janë 66 trupa dhe 9 mjete zjarrfikëse bashkuar me trupat tona dhe sot shpresojmë që të vëmë nën kontroll zjarrin në majën e Rrunës. Mjeti i fluturimit punon që në orët e para të mëngjesit. Kombinimi i punës nga ajri dhe zjarrfikësve nga toka, besoj se këtë vatër do ta eleminojmë sa më shpejt”.

Ministri i Mbrojtjes foli për një rast të dyshimtë të zjarrvënies së qëllimshme në Llogora.

Ju sjell rastin e Llogarasë që po e ndjekim prej ditësh me shumë trupa, me shumë këmbëngulje, vetëm ditën e djeshme kemi pasur 250 trupa që kanë gdhirë natën, kur ishin gati të shpallnin triumfin, pas gjysmë ore trupat kishin zbritur në tokë, identifikuan dy trupa elektrikë në mal dhe pas gjysmë ore lindën 2 vatra të reja“.