Sondazhet tregojnë se publiku japonez kryesisht kundërshton mbajtjen e Lojërave Olimpike të Tokios gjatë pandemisë së koronavirusit, edhe pse kundërshtimi i hapur përmes protestave ka qenë i vogël. Një mënyrë pak e njohur, përmes së cilës njerëzit kanë shprehur pakënaqësinë dhe frikën e tyre për Lojërat Olimpike, ka qenë arti. Përmes bluzave, vizatimeve dhe veprave të tjera të artit një numër njerëzish kanë protestuar kundër mbajtjes së Lojrave Olimpike, që sipas tyre rrezikojnë shëndetin e publikut.
Kërkesat për bluza me mbishkrimin “Anuloni Lojrat Olimpike” të stilistit Susumu Kikutake janë rritur. Ai thotë se rritja e shitjeve pasqyron pakënaqësinë e publikut me zgjatjen e masave kufizuese të qeverisë kundër pandemisë.
“Unë shita 100 bluza në prill, dhjetë herë më shumë se në një kohë normale. Në maj, arrita të shisja 250 bluza. Ndjeva ndryshimin e papritur të atmosferës, pra se prirja e njerëzve kundër mbajtjes së lojërave olimpike po zgjerohej”, tha menaxheri i dyqanit P&M, Susumu Kikutake.
Sondazhet tregojnë se publiku japonez kryesisht kundërshton mbajtjen e Lojrave e Olimpike të Tokios, megjithëse ka patur një nivel të ulët të kundërshtimit të hapur ndaj tyre përmes protestave në rrugë.
“Pas shpalljes së masave emergjente në janar, të gjithë u detyruan të qëndronin në shtëpi dhe të prisnin me durim. Unë mendoj se që nga ajo kohë, zhgënjimi është rritur, duke i nxitur njerëzit të ngrejnë pikëpyetje për zhvillimin e Lojrave Olimpike”, shpjegon Kikutake.
Bluzat, vizatimet dhe vepra të tjera arti janë bërë një formë proteste mbi vendimin për të mbajtur Lojërat Olimpike në kundështim të këshillave mjekësore dhe qëndrimit të publikut.
Zyrtarët janë përgjigjur në disa raste duke kërkuar ndalimin e artit satirik dhe produkteve me thirrje kundër mbajtjes së Lojrave Olimpike, që artistët thonë se janë një përpjekje për të kufizuar liritë e tyre.
Përpjekje të ngjashme për të satirizuar Olimpiadën e Tokios janë shtypur nga komiteti organizator, duke cituar shkelje të së drejtës së autorit.
Komiteti organizator i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se mbrojtja e pronës intelektuale është thelbësore për sponsorët e Olimpiadës që kanë paguar tarifa të mëdha në këmbim të të drejtave ekskluzive për të përdorur simbolet e lojërave. Organizatorët nuk pranuan të komentonin për raste specifike.
Miwako Sakauchi, një artiste tjetër japoneze, thotë se përmes pikturave ajo ka shprehur “zemërimin, frikën, ndjenjën e kontradiktës dhe kundërshtimin e dhunës shtetërore” ndaj banorëve të dëbuar dhe prerjes së pemëve për të ndërtuar stadiume të mëdha olimpike.
“Nuk mund ta mendoj Olimpiadën si një” festival të paqes” në këtë situatë. Kjo është krejtësisht e pakuptimtë”, thotë ajo sipas Zërit të Amerikës.
Ajo kurrë nuk ka protestuar në rrugë dhe nuk ka përfshirë çështje politike në pikturat e saj abstrakte në të kaluarën, por Lojërat Olimpike të Tokios kanë qenë një pikë kthese.
Rreziku i infektimit nga virusi mund të ketë frenuar skeptikët të dalin në rrugë për të shprehur zhgënjimin e tyre.
Ndryshe nga Rio de Zhaneiro, ku në vitin 2016, mijëra njerëz marshuan për javë të tëra kundër Olimpiadës, protestat e fundit në Japoni kanë tërhequr jo më shumë se dhjetra njerëz.
Sakauchi krijoi pikturat pasi u kontaktua nga një grup artistësh, të cilët organizuan një ekspozitë arti anti-Olimpiadë verën e kaluar. Më shumë se 20 artistë u mblodhën për projektin.
Punimet e saj u shfaqën në një tjetër ekspozitë në shkurt.
Një tjetër artist që u bashkua me ekspozitën kundër mbajtjes së Olimpiadës, është Sachihiro Ochi, një punonjës social dhe mjek në një klinikë pranë Stadiumit të qytetit të Yokohamës, ku do të zhvillohen garat olimpike të bejsbollit dhe softbollit.
Ai thotë se Tokio dhe Yokohama, qytetet më të mëdha të vendit, kanë forcuar politikat e tyre ndaj të pastrehëve për shkak të Lojërave Olimpike.
Ochi është përpjekur të ilustrojë këto ndryshime në pikturat e tij.
“Unë i vendos mendimet e mia në këto piktura pasi dua që më shumë artistë të flasin kundër (lojërave)”, thotë ai.