Vrau kushëririn pas sherrit për tokën dhe plagosi tre të tjerë, vetëdorëzohet në polici autori i masakrës në Lushnjë
Kastriot Hasalla, autori i vrasjes së 30-vjeçarit Romeo Hasalla në fshatin Garunjas të Lushnjes dy ditë më parë, është vetëdorëzuar në polici.
Ai ishte në kërkim nga policia prej dy ditësh, pasi në datën 29 korrik ekzekutoi me armë zjarri babanë e dy fëmijëve dhe la të plagosur 2 vëllezërit e tjerë të viktimës si dhe të atin e tyre.
Kastriot Hasalla është dorëzuar te autoritetet pas tentativave të ndërmejtësimit të Drejtorit të Policisë së Qarkut Fier, Ferdinand Mara.
“Në vijim të punës intensive dhe kontrolleve të pandërprera që prej mëngjesit të datës 29.07.2021 deri ditën e sotme, në banesa dhe në zona ku dyshohej se mund të ishte fshehur autori i tretë i ngjarjes së ndodhur në fshatin Garunjas, u bë arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim, K. H., 49 vjeç, banues në Garunjas, për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasje në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë”, njofton policia.
Sipas bluve, materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme.
Si ndodhi ngjarja?
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së enjtes, më 29 korrik. Ishte ora 6: 30 e mëngjesit, kur Shaip Hasalla, Emiliano Hasalla, Laert Hasalla dhe Romeo Hasalla janë konfliktuar me kushërinjtë e tyre Kastriot Hasalla dhe Afrim Hasalla.
Prej disa vitesh, të dyja palët kanë qenë në një konflikt për një sipërfaqe toke, e cila së fundmi ishte mbjellë me ullinj nga familja e Shaip Hasallës.
Disa ditë më parë midis tyre ka pasur një konflikt verbal, ndërsa mëngjesin e sotëm u përdoren edhe armët. Romeo Hasalla ka shkuar bashkë me vëllezërit dhe babanë për të frezuar tokën, por në këtë moment kushëriri i tyre, Kastriot Hasalla tentoi t’i ndalojë dhe qëlloi me armë gjahu.