Departamenti Amerikan i Shtetit në një raport e konsideron klimën e të bërit biznes në Shqipëri për vitin 2021 të vështirë.
Në raportin e DASH thuhet se pavarësisht se ka një kornizë të mirë ligjore dhe përparim në reformën elektronike, investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes.
Sipas raportit, korrupsioni veçanërisht në gjyqësor, mungesa e transparencës në prokurimin publik, konkurrenca e pandershme, informaliteti, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit fiskal dhe zbatimi i dobët i kontratave janë probleme të vazhdueshme në Shqipëri.
“Investitorët amerikanë sfidohen nga korrupsioni dhe vazhdimi i praktikave informale të biznesit. Disa investitorë nga SH.B.A janë përballur me mosmarrëveshje tregtare si me ente publike dhe private, duke përfshirë disa që përfunduar në arbitrazh ndërkombëtar. Të drejtat për pronën vazhdojnë të jenë një sfidë në Shqipëri. Ka pasur raste që individë dyshohet se manipulojnë sistemin gjyqësor për të marrë pronësinë në mënyrë të paligjshme të tokës. Indeksi i organizatës Transparency International, për sa i përket korrupsionit e renditi Shqipërinë në vendin e 104-të nga 180 vende, një përmirësim me dy vende nga viti 2019”, shkruhet në raport.
Shqipëria ra 19 vende në studimin e Bankës Botërore për të bërit biznes në 2020, duke u renditur e 82-ta, nga e 63-ta që ishte në 2019.