Aksidenti tragjik në Kroaci, Kurti: Lutemi të ketë sa më pak të vdekur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komunikuar me mediat pas lajmit te aksidentit tragjik në Kroaci, ku  autobusi i linjës Frankfurt-Prishtinë me rreth 60 pasagjerë ka dalë nga rruga.

Kurti ka bërë të ditur se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla po niset për në Kroaci, në vendin ku ka ndodhur aksidenti tragjik.

“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për aksidentin tragjik në Kroaci, të një autobusi me targa të Kosovës. Ndonëse ende nuk kemi konfirmime zyrtare për detajet, lutemi të ketë sa më pak të vdekur e sa më shpejt të shërohen të lënduarit. Ministri ynë i Punëve të Brendshme po niset për Kroaci, ndërkaq drejt vendit të aksidentit te autostrada e Sllavonski Brodit tashmë është nisur ambasadori ynë në Zagreb. Me ankth e shpresë jemi pranë qytetarëve tanë dhe familjeve të tyre në këto çaste të rënda”, thuhet në reagimin e Kurtit.

Siç raportojnë mediat kroate, sipas informacionit të fundit nga policia numri i personave që kanë humbur jetën deri tani është dhjetë.

Situata është shumë e vështirë dhe ka ende një numër të madh të pasagjerëve që janë në rrezik për jetën”, tha Damir Brezic, një zëdhënës i policisë së qarkut Brod-Posavina.

Për shkak aksidentit, lëvizja e mjeteve në autostradën A3 Bregana-Lipovac midis kryqëzimeve Slavonski Brod perëndim dhe Slavonski Brod lindje në drejtim të Lipovac është ndaluar.