Banorët e ‘5 majit’ dhe ata të ‘Laprakës’ protestuan ditën e sotme tek ish-sheshi ‘Shqiponja’.
Të ulur këmbëkryq në rrugë, për rreth një orë ata bllokuan qarkullimin e mjeteve, konkretisht aksin nga Lapraka drejt autostradës Tiranë-Durrës.
Banorët e ‘5 majit’ tashmë të mbetur pa shtëpi kërkojnë nga Bashkia Tiranë që të dëgjojë zërin e tyre për shkak se kanë mbetur pa shtëpi, në mes të katër rrugëve. Ndërkohë, banorët e ‘Laprakës’ kanë dalë në protestë pasi duke se i pret i njëjti fat, ata thonë se kanë marrë një njoftim se shtëpitë e tyre në Laprakë do tu shemben për shkak të rikualifikimit urban.
Nënë Liza nuk mund të mungonte, e kthyer në simbol të protestës, ajo i bëri sërish thirrje kryebashkiakut Erion Veliaj dhe kryeministrit Edi Rama që të ulen të dëgjojnë kërkesat e tyre.
“I bëj thirrje Ramës e Veliajt të merren me këtë popull, mos të nxjerrin popullin jashtë. Me popullin e vet janë duke u bërë armiq, afganistanët po i strehojnë këtu. Policisë i bëj thirrje mos të prek njeri me dorë, popullit i bëj thirrje të dalin në protestë, mos të bëhen dele”, tha Liza Marku.
Në fund të protestës, qytetarët paralajmëruan përshkallëzim të protestave, ndërsa protestën e radhës do e mbajnë ditën e hënë.
“Nëse nuk merrni masa, protesta do jetë shumë madhështore dhe do vijmë deri tek shtëpia jote zoti kryeministër”, tha një protestues.
Më 19 janar Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ndërmori aksionin për prishjen e banesave në zonën e 5 majit në Tiranë duke i hapur rrugën procesit të rindërtimit. Në total, preken 430 në total nga projekti i rindërtimit.
Burimi: Shqiptarja.com